Deklarata për “spastrim etnik” ndez reagime, Brukseli i përgjigjet Serbisë

Brukseli dënoi deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian. Ne presim që të gjithë liderët të veprojnë me përgjegjësi, të përmbahen nga retorika nxitëse dhe të kontribuojnë në krijimin e një klime besimi dhe stabiliteti rajonal,” deklaroi Anitta Hipper, Zëdhënëse e Komisionit Europian.

Paunoviq është nënkryetare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 2024. Kryetari i kësaj partie, Ivica Daçiq, njëherësh ministër i Brendshëm i Serbisë, i cilësoi si “të turpshme dhe hipokrite” kritikat ndaj ministres.

Duke reaguar ashpër ndaj deklaratës, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi paralajmëroi se do të iniciojë shkarkimin e saj. Kamberi ka thënë se deklaratat fashiste të ministrave të qeverisë serbe, tregojnë më së miri se Serbia e Millosheviqit vazhdon të mbetet e njëjtë.

Nga statusi i Shaip Kamberit në Facebook: Deputeti shqiptar ka reaguar përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, duke shprehur qëndrimin e tij për zhvillimet e fundit.

“Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, deklarata të tilla nga përfaqësues të institucioneve shtetërore përbëjnë një burim shtesë pasigurie. Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione”, ka thënë Kamberi.

Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, parti opozitare në Serbi, ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të ministres së Administratës Paunoviq duke i bërë thirrje Prokurorisë të merret me rastin si vepër e nxitjes së urrejtjes.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë , Ferit Hoxha, reagoi në platformën X duke dënuar deklaratën e një anëtari të Qeverisë së Serbisë për spastrimin etnik në Kosovë, duke e cilësuar atë të papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës.

Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në Kosovë nuk është kryer një spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës, ka thënë Hoxha

Ministri në detyrë në Qeverinë e Kosovës, Andin Hoti, ka reaguar duke e krahasuar atë me ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, dhe duke thënë se përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike është e njohur.

NGA STATUSI I ANDIN HOTIT NË FACEBOOK

 “Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas tij, kushdo që bën thirrje për spastrim etnik nuk përbën vetëm kërcënim për Kosovën, por dëshmon se Serbia ende nuk është shkëputur nga “ideologjia gjenocidale e Millosheviqit” dhe nga politika që solli luftëra, masakra dhe “turp historik”.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1.500 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur ndërsa mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button