Gazetar: Mihajllo Donev
Kryeministri Hristijan Mickoski dënoi sot thirrjet ksenofobike të tifozëve gjatë ndeshjes së basketbollit në Kumanovë. Mickoski i cili ishte i pranishëm në sallë, tha se në fillim as nuk arriti t’i dëgjonte thirrjet, sepse ato u bënë nga një grup i vogël i tifozëve që nuk morën mbështetje nga pjesa tjetër e publikut.
“Dua të shfrytëzoj këtë mundësi për t’u bashkuar në dënimin e nacionalizmit dhe ksenofobisë, para së gjithash, atij që ndodhi në ndeshjen e basketbollit midis Rumanisë dhe Maqedonisë, dhe më pas t’u dërgoj mesazh të gjitha grupeve të tifozëve që të brohorasin në mënyrë sportive, të brohorasin për ekipin e tyre dhe ekipin kombëtar të Maqedonisë. Kjo është ajo që mbështet kjo Qeveri, dhe çdo gjë tjetër do t’i nënshtrohet hetimit dhe sanksioneve pavarësisht se nga cila anë vjen”, deklaroi Hristijan Mickoski- kryeministër.
Reagimi i kryeministrit vjen dy ditë pas ndeshjes dhe deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim apo dënim të ngjarjes nga Ministria e Sportit. Ministri Borko Ristovski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, tha se nuk ka pasur asnjë reagim sepse Ministria është e detyruar të reagojë nëse bëhet fjalë për sjelljen e një klubi të caktuar, por jo të grupit të tifozëve. Megjithatë, Ristovski dënoi thirrjet nacionaliste dhe tha se do të punohet për edukimin e tifozëve.
“Në Maqedoni, nuk ka nevojë për thirrje të tilla nga njëra apo tjetra, nga e treta apo nga çfarëdo palë. Do të punojmë para së gjithash në edukimin e tifozëve, grupeve të tifozëve, të njerëzve që secili ka të drejtë të mbështesë ekipin e tij, ekipin e tij kombëtar, por ngjarje të tilla, le të themi, të pakëndshme, nuk duhet të ndodhin dhe nuk duhet të ndodhin”, tha Borko Ristovski- ministër i sportit.
Dënim i fortë i mesazheve të tilla ofenduese dhe diskriminuese erdhi edhe nga Komiteti i Helsinkit, ku thanë se fushat sportive nuk janë vend për gjuhë të urrejtjes duke shprehur shqetësim për reagimin e vonuar të politikanëve të pranishëm në këtë ngjarje, duke aluduar në faktin se zyrtarët nuk duhet të qëndrojnë indiferentë ndaj gjuhës së urrejtjes. Prokuroria e Kumanovës ka hapur rast dhe po heton elemente të veprës penale që lidhen me thirrjet e gjuhës së urrejtjes nga persona të panjohur kurse janë lëshuar urdhra për të siguruar pamjet e kamerave për identifikimin e autorëve. /Alsat.mk








