Shtatë vitet e fundit ishin më të nxehtat në botë, thotë shërbimi për monitorim të klimës i BE-së

Shtatë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara në nivel global “me një diferencë të qartë”, raportoi të hënën shërbimi i monitorimit të klimës i Bashkimit Evropian, pasi ngriti alarmin për rritje të mprehta të përqendrimeve rekord të metanit në atmosferë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendet në mbarë botën janë goditur nga një sulm i pamëshirshëm i katastrofave të motit të lidhura me ngrohjen globale në vitet e fundit, duke përfshirë zjarret rekord në të gjithë Australinë dhe Siberinë, një valë të nxehti “një herë në 1000 vjet” në Amerikën e Veriut dhe reshjet ekstreme që shkaktuan përmbytje masive në Azi, Afrikë, SHBA dhe Evropë.

Në vlerësimin e tij të fundit vjetor, Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S) konfirmoi se viti 2021 i ishte bashkuar brezit të ngrohtë të pandërprerë që nga viti 2015.

Aty u zbulua se viti i kaluar ishte i pesti më i ngrohti i regjistruar globalisht, pak më i ngrohtë se 2015 dhe 2018.

Temperatura mesatare vjetore ishte 1.1 deri në 1.2 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, e matur midis 1850 dhe 1900, tha C3S.

Në përgjithësi, shërbimi i monitorimit konstatoi se shtatë vitet e fundit “kanë qenë vitet më të ngrohta të regjistruara me një diferencë të qartë”.

“2021 ishte një vit tjetër i temperaturave ekstreme me verën më të nxehtë në Evropë, valë të nxehtit në Mesdhe, për të mos përmendur temperaturat e larta të paprecedentë në Amerikën e Veriut”, tha drejtori i C3S, Carlo Buontempo.

“Këto ngjarje janë një kujtesë e fortë e nevojës për të ndryshuar veprimet tona, për të ndërmarrë hapa vendimtarë dhe efektivë drejt një shoqërie të qëndrueshme dhe për të punuar drejt reduktimit të emetimeve neto të karbonit”.

LEXO EDHE:

Back to top button