Shtetasi amerikan dyshohet për sulm fizik ndaj tre pjesëtarëve të policisë

Prokuroria Themelore Publike-Shkup (PTHP) ka iniciuar procedurë kundër 42 vjeçarit, shtetas amerikan për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale Sulm ndaj personit zyrtar, gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

Paraditen e sotme shtetasi i huaj është ndaluar në Stacionin e Policisë në  Kisella Vodë për kundërvajtje të mëparshme kundër rendit dhe qetësisë publike. Teksa ka hyrë në korridorin e stacionit ka nisur të sillet në mënyrë agresive dhe të godasë me duar dhe këmbë inventarin. Kur njëri nga policët i ka tërhequr vërejtjen që të ndalojë sjelljen e dhunshme, i dyshuari është kthyer nga ai dhe e ka goditur disa herë në fytyrë duke i shkaktuar lëndime trupore. Në atë moment, dy policë të tjerë kanë tentuar ta mposhtin, por i dyshuari ka filluar t’i godasë me grushte, duke i plagosur. Pas disa kohësh, zyrtarët policorë kanë arritur ta mposhtin të dyshuarin.

Pasi që në rastin konkret nuk ka mundësi tjetër për sigurimin e prezencës së të dyshuarit gjatë procedurës, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e masës së paraburgimit.

LEXO EDHE:

Back to top button