Zaevi akuzon Asorvskën për pasaportë bullgare, Arsovska e akuzon për firmat në Bullgari

LSDM-ja ka publikuar një letërnjoftim të Bullgarisë me pretendimin se i takon kandidates së pavarur për Qytetin e Shkupit Danella Arsovska. Ndërsa Kreu i LSDM-së Zoran Zaev në emisionin “Utrinski brifing” u shpreh se është i sigurt që Arsovska ka shtetësi bullgare, duke kërkuar nga e njëjta të tërhiqet nga gara për kreun e Shkupit.

 “Menjëherë të tërhiqet, nuk mund ta nënçmojë popullin aq shumë. Unë e kuptoj të thotë se: përparësitë e mija janë këto ose ato, se jam me përvojë ose se jam grua. E gjithë kjo është në rregull. Por të thotë, qytetar të nderuar e kam edhe këtë (nënshtetësinë), dhe në rregull është gjithçka mund të shkojmë. Por kjo del tani tre ditë para fundit të fushatës dhe katër ditë para zgjedhjeve, ajo menjëherë të tërhiqet nëse pak e do Shkupin dhe shkupjanët”- deklaroi Zoran Zaev, LSDM.

Kandidatja e pavarur për Qytetin e Shkupit Danella Arsovska, hodhi poshtë akuzat e LSDM-së për shtetësinë dhe paralajmëroi padi ndaj Zaevit e Shilegovit. Ajo tha se nuk do të tërhiqet nga gara, ndërsa akuzoi kreun e LSDM-së Zaev për siç tha person që ka shitur interesat e Maqedonisë dhe që ka biznese në Bullgari.

“Vëllai juaj Vice Zaev është udhëheqës, bashkëpronar, pronar i kapitalit në firmat bullgare “Gumasidra” dhe “Orient Grup”. Këtë duhet të dilni dhe ta tregoni, krahas asaj që i keni shitur interesat maqedonase dhe punoni për interesa të dikujt tjetër. Kushëriri juaj Trajçe Zaev është udhëheqës, bashkëpronar, pronar i kapitalit në firmat bullgare “Gumasidra”, “Orient Grup”, “Farma EUBG”, “Medikal 420 BG”. Kushëriri juaj i parë Boban Zaev është udhëheqës, bashkëpronar, pronar i kapitalit në firmat “Farma EUBG”, “Medikal 420 BG”- pohoi Danella Arsovska, Kandidate e pavarur.

Kjo çështje ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave bullgare. Gazeta “Trud”, akuzat e LSDM-së ndaj Danella Arsovskës për shtetësinë bullgare i ka quajtur si “linçim verbal ndaj një bullgare në Shkup”. Ndërsa gazeta “24 Orë” thotë se gjatë kontrolleve në MPB-në bullgare, me të dhënat e letërnjoftimit që ka publikuar LSDM nuk kanë gjetur person me emrin Daniella Arsovska.

Mefail Isamili

LEXO EDHE:

Back to top button