Shtohet presioni për Asociacionin

Që nga dita kur mori detyrën për herë të dytë si kryeministër i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur si fillim të ri të dialogut, procesin e bisedimeve me Serbinë.

Por ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, thotë se “historia nuk ka filluar me Qeverinë Kurti”.

Kosnett ia bëri të qartë të mërkurën kryeministrit Kurti, se “Shtetet e Bashkuara besojnë se Kosova e ka detyrim të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Një ditë më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas një vizite në fshatin Krushë e Madhe, duke komentuar deklaratat e ambasadorit Kosnett, tha se Kosova nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike.

Sipas tij, kërkesat për asociacion njëetnik nuk po vijnë nga njerëz të thjeshtë, por nga politikanë të fqinjit verior.

“Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Por asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë, as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës. Dhe praktikisht, një gjë të tillë e ka thënë edhe aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar me 23 dhjetor të vitit 2015”, tha Kurti për Kosovapress.

Të mërkurën, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett tha se “besojmë se vendet e kanë detyrim t’i respektojnë marrëveshjet dhe obligimet e ndërmarra më parë”.

“E di që disa njerëz kanë thënë se ‘ne kemi bërë mjaft kompromise, i takon dikujt tjetër të bëjë një kompromis’. Kjo nuk është një mënyrë shumë produktive për të ecur përpara”, tha Kosnett për Radion Kontakt Plus.

LEXO EDHE:

Back to top button