Shtrenjtimi i produkteve bazë ka ndikuar edhe tek banorët që jetojnë në zonat më të largëta të kryeqytetit

Shtrenjtimi i produkteve bazë ka ndikuar edhe tek banorët që jetojnë në zonat më të largëta të kryeqytetit

Gazetare: Ajnur  Bafqari

Kriza ekonomike dhe energjetike nuk i ka kursyer as banorët e fshatrave malorë, por ka ndikuar më pak në jetët e qytetarëve që jetojnë nëpër këto rajone.

Furnizohen me miell, kripë, sheqer, çaj e kafe, rrallë edhe vaj për gatim, por produktet tjera ushqimore bazë i kultivojnë vetë. Ngrohen e gatuajnë me dru të cilat nuk i blejnë, ndërsa energjinë elektrike e përdorin shumë pak.

“Gjalpë, djathi, gjiza, kosi apo jogurti, këto nuk i blejmë se i kemi tonat, janë produkte tona që i bëjmë vetë, ka disa gjëra tjera që i blejmë në qytet. Janë mielli, vaji, kripa. Miellin nuk e kultivojmë pasi terreni nuk është i përshtatshëm. Ne nuk ngrohemi me rrymë, se i kemi drunjtë këtu prej fshatit i marrim vetë, i ofrojmë për stinën e dimrit, kështu që për ngrohje rrymën nuk e shfrytëzojmë, por vetëm për drita dhe gjëra të tjera në amvisëri”, tha Ajet Shabani, banor i fshatit Malinë.

Fjalinë “na pret një dimër i vështirë” e kanë dëgjuar nëpër media, por thonë se tek ata nuk ka ndonjë ndikim të madh. Me mungesë të rrymës janë ballafaquar shpesh ndër vite, edhe kur nuk ka pasur krizë energjetike, thonë se janë mësuar me këtë.

“Neve nuk na vjen rëndë se jemi mësuar”, tha një vajzë e vogël.

Pajtohen se në këtë periudhë krize e kanë më të lehtë se banorët që jetojnë nëpër qytete.

“Jo ne nuk e kemi ndjerë atë , falë Zotit, se jemi këtu në fshat, se ne do të ishim në të njëjtën situatë si ato të qytetit, edhe për ata na vjen keq, se shumë një metër dru 4500 denarë, edhe atje ka njerëz me ndihmë sociale, nuk ja arrijnë mi grumbulluar paratë, nuk është lehtë, atyre u është vështirësuar jeta më shumë se neve këtu në fshat. Neve na mungon infrastruktura më shumë, rrugë ambulanca këto. Se për do gjëra tjera jemi pak ma ndryshe dhe nuk jemi shumë të rrezikuar si ata të qytetit”, shtoi Ajet Shabani, banor i fshatit Malinë.

Rritja e çmimit të derivateve ka ndikuar në uljen e numrit të udhëtimeve drejt qytetit, por gjithsesi për shkak të infrastrukturës së keqe rrugore, banorët e fshatit Malinë të Malësisë së Karadakut, edhe ashtu gjatë dimrit nuk lëvizin nga fshati Malinë. Në dhjetor furnizohen me rezerva ushqimore për 5 muaj dhe dimrin e kalojnë brenda fshatit që numëron rreth 25 shtëpi dhe mbi 200 banorë./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button