Shumë keqpërdorime – Pritet të vonohet dhjetë kilometërshi i dytë i autostradës Shkup – Bllacë
Shumë keqpërdorime – Pritet të vonohet dhjetë kilometërshi i dytë i autostradës Shkup – Bllacë
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Autostradës Shkup-Bllacë nuk po i shkruhet mirë. Nëse nga kufiri i Bllacës drejt Shkupit, dy kilometrat e para janë gati, të njëjtat nuk mund të lëshohen në përdorim, sepse nuk lidhen askund.
“Kështu duket përfundimi i dy kilometërshit të parë Shkup – Bllacë. Pra përfundojnë këtu në një greminë e cila nuk ka dalje dhe nuk ka se ku të lidhet. Duheshte të lidhet te kodrina prapa meje që shihet në të cilën ishte paraparë që të ndërtohet tunel mirëpo ky tunel nuk do të ishte i vetmi që do të ndërtohet, sipas projektit fillestar janë paraparë edhe pesë tunele të tjera”, raporton gazetari i Alsat, Zekirija Haxhiu.
Gjithsej gjashtë tunelet janë të parashikuar në projektin e dhjetë kilometërshit të dytë që do të ndërtoheshte deri te qarkorja.
Megjithatë ky projekt ka mbetur në udhëkryq. Ministri i Transportit dhe Lidhjes, Aleksandar Nikolloski, dje në Kuvend njoftoi se ish drejtori i “Rrugëve Shtetërore” Ejup Rustemi, qëllimisht dy herë ka ndryshuar projektin, dhe kjo ka shkaktuar rritjen e çmimit të realizimit, nga 170 milion, në 240 milion euro.
“Ja ku është dokumenti. Ky është një dokument që për herë të parë del në publik. Më falni por unë krime të Ejup Rrustemit nuk do të realizoj. 70 milion euro plus të paguajnë qytetarët e Maqedonisë me mundësi aneksi prej 20% që mund të shkojë deri në 300 milion, unë këtë nuk do ta lejoj”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit dhe Lidhjes.
Ndryshimi i projektit siç sqaroi Nikolloski, është bërë me qëllim që tunelet të mund t’i realizojë vetëm një kompani e afërt me BDI-në. Ai tha se edhe disa kompani kanë blerë parcela siç tha qëllimisht pasi kanë mësuar se aty do të kalonte traseja e autostradës.
“A e keni të njohur kompaninë Jubaj 2 Ahmet? Unë dhe opinioni e njohim, por edhe MPB. Frukta Fruta a e keni të njohur? Unë e njoh. Kadis Holding? Edhe atë nuk e njihni, mirë… Atlantik Dooel a ju duket e njohur? Vetëm këto tani po i lexoj”, vazhdoi tutje Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit dhe Lidhjes.
Nga BDI thanë sot se Nikollovski dëshmoi se asnjë funksionar i BDI-së nuk ka blerë toka.
“Nikollovski në Kuvend shpalosi emra të 4 kompanive që kanë blerë tokë në aksin Shkup – Bllacë për nevojat e tyre dhe asnjëra nga ato nuk ka asnjë lidhje të vetme me asnjë funksionar të BDI-së. Nikollovski dje në Kuvend e demantoi veten dhe VMRO DPMNE-në”, thanë sot nga BDI.
Dy kilometrat e parë nisën të ndërtohen në vitin 2019 ndërsa punimet duhej të kishin përfunduar vitin e kaluar. Nga ana tjetër e kufirit, Kosova ka përfunduar autostradën “Arbën Xhaferi” që në vitin 2019./ Alsat.mk