Shumë objekte banimi në Tetovë mund të mbeten pa u legalizuar, kjo është arsyeja

Shumë objekte banimi në Tetovë mund të mbeten pa u legalizuar, kjo është arsyeja

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Rreth një 1500 objekte në qytetin e Tetovës, rrezikojnë të mbeten pa u legalizuar, shkaku i dokumentacionit të pakompletuar. Komuna e Tetovës ka njoftuar palët se nëse deri në vitin 2025 nuk dorëzohen kërkesat e kompletuar për legalizim do të merren masa për prishjen e tyre. Shumë prej pronarëve nuk kanë dorëzuar dokumentacionin për shkak të kontesteve të pazgjidhura.

“Në kuadër të qindra objekteve që kanë mbetur pa u legalizuar këtu në qytetin e Tetovës, halli më i madh është për banorët në këtë lagje që shihni pas meje. Në këtë lagje, shtëpitë, janë ndërtuar në tokë jo që është pronë shtetërore por pronë e Bashkësisë fetare Islame e Maqedonisë së Veriut”, raporton Bashkim Sulejmani, gazetar.

Nga Bashkësia Fetare Islame të pyetur nga Alsat thonë se ky institucion ende nuk ka një qëndrim se si do të veprojë me shtëpinë e ndërtuara në pronën e BFI-ë.

Kreu i Bashkësisë Lokale të Bregut të Diellit thotë i janë drejtuar institucionit fetar më kërkesën për zgjidhjen e problemit por akoma nuk kanë marrë përgjigje. Në kontakt janë edhe më komunën nga e cila presin të ndihmojë në kapërcimin e problemit.

“Jemi adresuar edhe tek BFI, por pa ndonjë përgjigje konkrete. Tani me ardhjen e administratës së re na kanë premtuar sërish se bëjnë çmos për zgjidhjen e problemit, por nga Myftinia ende s`ka përgjigje konkrete. Si pasojë mungojnë gjitha gjërat, edhe rrjeti i ujësjellësit që bëhet në lagje ka pengesa shkaku i pronësisë dhe nuk mund të përfundohet rrjeti. Apelojmë si banorë të lagjes deri tek myftinia që të ulen bashkë tek komuna dhe sa më shpejtë ta zgjedhin këtë problem”, tha Semir Beqiri, Kryetar i BL “Bregu i Diellit”.

Problemi i lagjes bregu i Diellit nuk është i vetmi sa i përket legalizimit. Në sektorin e urbanizmit në komunën e Tetovës, janë shfaqur edhe shumë numra fiktiv, të cilët nuk kanë të dorëzuar asnjë dokumentacion për legalizim.

“Kemi edhe mungesë të komplet dokumentacionit, apo elaboratit, për shumë numra fiktiv, që palët vijnë, pra kanë numër, por materialet nuk janë në komunën e Tetovës që do të thotë se janë numra fiktiv. Shumë shpejt do i nxjerrim gjithë këto numra në edhe në faqen zyrtare, dhe do kërkojmë nga qytetarët që të vijnë të dorëzojnë elaboratet e nevojshme. Nëse këto nuk sillen, atëherë gjitha këto numra fiktiv do ti denoncojmë deri në prokurorinë publike”, deklaroi Besar Durmishi, Kryetar i këshillit komunal Tetovë.

Përbërja e re e komunës, thotë se ka gjetur rreth 3.000 lëndë për legalizim. Dhjetëra prej tyre kanë qenë të legalizuara që prej kohësh, por pronarët nuk kanë mundur që të marrin dokumentacionin e duhur të legalizimit, që sipas Tetovës, len dyshime për korrupsion dhe keqpërdorime tjera. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button