Shumë vatra të zjarrit janë ende aktive, për shuarjen e tyre në ndihmë vijnë vendet nga rajoni

Shumë vatra të zjarrit janë ende aktive, për shuarjen e tyre në ndihmë vijnë vendet nga rajoni

Gazetare: Ajnur Bafqari

Në territorin e vendit ka ende vatra aktive të zjarrit dhe është e vështirë vendosja e tyre nën kontroll. Përveç kapaciteteve vendore, për luftimin e flakëve është kërkuar ndihmë edhe nga vende të rajonit. Një helikopter dhe dy air-traktorë nga Turqia kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut dhe janë përfshirë në luftën kundër zjarreve. Beteja më e madhe me flakët po zhvillohet në komunën e Novosellës, në afërsi të kufirit me Bullgarinë. Ndërsa helikopteri turk, bashkë helikopterin e policisë dhe atë të ushtrisë, marrin pjesë në shuarjen e zjarrit në malin Serta në rajonin e Negotinës.

“Prej tokës shumë forca po merren me shuarjen e zjarrit. Kemi numër më të madh të zjarrfikësve, nga njësitë zjarrfikës territoriale, atyre u ndihmojnë edhe përfaqësues të shoqatës së gjuetarëve, ndërmarrjet publike territoriale prej këtyre dy komunave dhe një numër i caktuar i banorëve lokal. Njëkohësisht përveç shuarjes së zjarreve nga ajri, po mundohemi të bëjmë rrugë të depërtueshme, që në disa vende me automjete terreni të dërgohen zjarrëfikës”, deklaroi Stojançe Angellov, Drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Kryeministri Hristijan Mickoski pret që nesër, e më së voni pasnesër zjarret të vihen nën kontroll. Ai tha se përskaj ndihmës ndërkombëtare që arriti sot, pritet ndihmë edhe nga Serbia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Aktualisht zjarret më kritike janë në malin Serta dhe Ograzhden, ku sipas autoriteteve terreni është shumë i vështirë dhe e vështirëson lëvizjen e zjarrfikësve. Për shuarjen e zjarrit janë mobilizuar edhe 103 pjestarë të ushtrisë dhe 30 të MPB-së. Për shkak të situatës me zjarret, Qeveria ditë më parë shpalli gjendje krize në afat prej 30 ditësh. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button