Shumë zjarre aktive në të gjithë vendin
Vendi vazhdon të jetë i përfshirë nga zjarre aktive, por aktualisht rreziku nuk kanos drejtpërdrejt banorët e fshatrave të cilat janë në afërsi të vatrave të zjarrit. Nga Qendra për menaxhim me krizat njoftojnë se gjatë orëve të kaluara kanë arritur të vendosin nën kontroll zjarrin në rajonin e Dellçevës në afërsi të fshatit Istevniku i Ri, të shuajnë zjarrin në Shtip afër fshatrave Sellcë dhe Dragovec. Ndërsa në orët e mëngjesit në Velushinë të Manastirit është aktivizuar zjarr dhe ende nuk është lokalizuar plotësisht.
Nga QMK njoftojnë se zjarre aktive ka në rajonin e Pehçevës në fshatin Budinarci, në Saraj të Shkupit, mes fshatrave Rahoviq, Bukoviq dhe Llaskarcë. Po ashtu edhe në Petrovec në vendin e quajtur Krushje, digjen pyje të përziera. Zjarri i shkaktuar mbrëmë në Nagoripçan të vjetër mes fshatrave Drenjak, Zhublinjë dhe Alincë, mbetet aktiv. Aktiv mbetet edhe zjarri në rajonin e Prilepit në Fshatin Toplicë dhe atë në tre lokacione.
Zjarre të tjera nuk ka, për momentin është paraqitur një zjarr në Rosoman të Kavadarit, në afërsi të motelit Drenovë. Në terren janë ekipe të zjarrfikësve të Kavadarit dhe nëpunës të policisë. Komunikacioni në këtë rrugë zhvillohet rrjedhshëm dhe nuk ka ndërprerje. Jemi duke përcjellur situatën”, tha Marija Millkova, QMK.
Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se mbrëmë, në Dibër, kanë arrestuar edhe një person 60 vjeçar, i dyshuar për shkaktimin e zjarrit në pyje. Ndërsa nga QMK thonë se temperaturat e lartë gjatë ditëve në vijim, vazhdojnë të jenë rrezik shtesë që zjarret të zgjerohen më shumë por edhe të shkaktohen zjarre të reja. Andaj shtojnë që masa parandaluese më të mira kundër zjarrit janë ndalimi i shëtitjeve nëpër pyje, të mos hidhen bishtat e cigareve dhe të bëhet kujdes maksimal. Nga QMK e prezantuan edhe Sistemin e ri NIKS, i cili është sistem i posaçëm për komandimin në situata urgjente. Me këtë sistem anëtarët e QMK-së, përmes një ekrani do t’i kontrollojnë të gjitha të dhënat, do t’i shohin se në cilat vende ka zjarre aktive dhe cili është intensiteti i tyre. Po ashtu do të mund të shohin ku është shuar zjarri, ku ka rreziqe për riaktivizim si dhe informata të tjera.
Mefail Ismaili








