Shumica parlamentare kompletohet të hënën, opozita kundërshton punën “online”

Të hënën pritet të kompletohet shumica parlamentare, me verifikimin e mandatit të deputetes nga radhët e LSDM-së Emilija Rambabova dhe kthimin nga izolimi të deputetit Arben Ziberi. Kuvendi është njoftuar se gjendja shëndetësore e Ziberit është e mirë dhe pret të bëjë testin përfundimtar për virus korona. Nëse konfirmohet shërimi i Ziberit por për çështje parandaluese mbetet në fuqi vendimi për izolim, deputeti do të paraqitet në Kuvend në hapësirën tek dhe pa pasur kontakt me deputetët e tjera, vetëm për të votuar, siç bëri gjatë votimit të Qeverisë. Nëse është pozitiv, Ziberit nuk ka asnjë alternativë që t’i mundësohet votimi.

Për të shmangur situata të këtilla në të ardhmen por edhe për të paraparë mënyra të punës së Kuvendit edhe në kushte të jashtëzakonshme, kryeparlamentari Talat Xhaferi sqaron se pse është i nevojshëm ndryshimi i Rregullores.

Alternativa nuk mendohet për të zëvendësuar atë që është obligim i funksionimit të rregullt. Alternativa është vetëm në qoftë se vijmë në situatën kur për shkak të infektimit qoftë të nëpunësve të Parlament, qoftë të njërit prej deputetëve që do të rezultojë me izolim të gjithë parlamentit, patjetër të kemi alternativë që të mund të punojmë në atë kohë. Dikush e ka kuptuar se alternativa është pretendim për ta zëvendësuar punën e rregullt të Kuvendit me punë alternative nga shtëpia, por nuk është ajo esenca – tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Kjo formë e punës alternative të Kuvendit nëse realizohet, nuk do të vlejë vetëm për periudhën e pandemisë por për çfarëdo situate të jashtëzakonshme, të cilën dispozitat nuk e kanë paraparë që nga pavarësia e vendit. Për momentin në këtë drejtim nuk ka asgjë konkrete. Nuk potencohet qartë nëse alternativa nënkupton funksionim “online”. Paraprakisht, duhet të parashihen të gjitha detajet si për aspektin administrativ të punës, ashtu edhe për furnizimin me pajisjet e nevojshme teknike.

VMRO-DPMNE-ja dhe koalicioni opozitar shqiptar Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ishin shprehur kundër mënyrës së punës “online” të Kuvendit.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button