Shumica parlamentare, pa zgjidhje për mungesën e kuorumit

Shumica parlamentare, për momentin, nuk sheh arsye për vazhdimin e seancave të papërfunduara plenare për aq kohë sa nuk ka garanci që opozita do të futet në sallë. Mungesa e opozitës në sallë nënkupton edhe mungesë të kuorumit, në kushtet kur një nga 62 deputetët e shumicës është i infektuar me virus korona dhe një tjetër akoma në izolim. Shumica parlamentare thotë se qëllimi i vetëm i VMRO-DPMNE-së është bllokimi, edhe pse kanë pasur marrëveshje për vazhdimin e punës.

“Opozita gjen vetëm pretekst për ta ngadalësuar punën e Kuvendit. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj amendamentesh. Ata dje nuk morën pjesë për të mos u miratuar ligji që ka të bëjë me vaksinimin. Nëse arsyeja ka qenë mospranimi i propozimeve të tyre, përgënjeshtrimi më i mirë është se kishte një pikë që ishte propozim i tyre, interpelanca e Dimitrovit. Ky është bllokim dhe pengesë e pastër. Për atë edhe nuk pranuan ndryshim të Rregullores që kishte të bënte pikërisht me këto situata, për të shantazhuar dhe bllokuar kurse para qytetarëve të aktrojnë shqetësim të rrejshëm”, thonë nga Grupi parlamentar i LSDM-së.

VMRO-DPMNE-ja për momentin nuk përgjigjet nëse do të vazhdojë të mos futet në plenare. Kishin deklaruar se kjo është pasojë e shpërfilljes së vërejtjeve dhe amendamenteve të tyre nga ana e pushtetit.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela thotë se deputetët e grupit të tij parlamentar nuk e ndjejnë për obligim të krijojnë kuorum kur i duhet pushtetit.

“Në qoftë se dëshiron të funksionojë normalisht, kemi thënë, Qeveri të zgjeruar që t’i zgjidhin dhe temat e hapura që sa më shpejtë të aterojmë drejt Bashkimit Evropian. Ai s’e pranon këtë. Po çfarë dëshiron tjetër? Te kjo pjesa tjetër do hymë aty ku ne duam dhe aty ku ne vlerësojmë. S’kemi obligim ndaj tyre. Dhe s’kemi pse hymë ne dhe të bëhemi pjesë sepse ndryshe me të drejtë do të thoni “i kanë blerë”, “i kanë frikësuar”, pohoi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.     

Deputeti i infektuar dhe ai në izolim nuk pritet t’i kthehen punës për disa javë, varësisht rekomandimeve nga mjekët. Kjo nënkupton se e vetme, shumica s’do të ketë kuorum për një periudhë. Seanca e radhës është caktuar për në datën 25 janar por nuk dihet se si do të rrjedhin zhvillimet deri atëherë. Kryeparlamentari Xhaferi kishte iniciuar ndryshim të Rregullores me të cilën deputetët në izolim do të mund të votonin nga shtëpia. Për këtë nuk ka akoma konsensus me opozitën.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button