Bërns: Inaugurimi i Biden, fillimi i unitetit në mbarë SHBA-në

SHBA është gati për ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri, Xho Bajdën. Si asnjëherë më parë, janë marrë masa të jashtëzakonshme sigurie. Mbi 25 000 pjesëtarë të Gardës Kombëtare janë trajnuar për të mbrojtur Presidentin në rast të ndonjë sulmi apo incidenti eventual. Capitoll Hill është rrethuar me gardh të lartë të mbuluar me tela e gjemba, ndërsa e gjithë zona është “blinduar”.

Përskaj shqetësimeve për sigurinë, Bajden ka vendosur që betimin ta bëjë në mënyrë tradicionale. Por traditën 160 vjeçare do ta shkelë paraardhësi i tij, Donald Trump i cili nuk do të merr pjesë në ngjarje. Shkaku i pandemisë, pjesa më e madhe e kremtimeve do të bëhen në mënyrë virtuale, me grupe muzikore që do të interpretojnë nga të 50 shtetet e SHBA-së. Sapo të mbërrijnë në Washington, Joe dhe Jill Biden, si dhe nënpresidentja, Kamala Harris dhe bashkëshorti i saj, Douglas Emhoff, planifikojnë të ndezin 400 drita pranë memorialit të Lincoln, për të nderuar 400,000 viktimat e COVID 19.

Nga ana tjetër, Trump po planifikon të largohet nga Uashingtoni të mërkurën në mëngjes me një ceremoni me tapet të kuq deri tek avioni presidencial, me të cilën do të shkojë në rezidencën e tij në Florida. Plani i Trumpit ka shkaktuar shumë kritika dhe është cilësuar si “ceremonia përçarëse e ikjes për presidentin në largim.” Zonja e parë në largim, Melania Trump tha se ishte nderi më i madh që i shërbeu amerikanëve dhe nga to ishte inspiruar.

“4 vitet e fundit kanë qenë të paharrueshme. Teksa unë dhe Donaldi po e përfundojmë kohën tonë në shtëpinë e Bardhë, mendoj për të gjithë njerëzit që më kanë mbetur në zemër, ngjarjet e tyre të mrekullueshme të dashurisë, patriotizmit dhe angazhimit”, tha Melania Trump, Zonja e parë në largim e SHBA-së

Ambasadorja e SHBA-së, Kejt Meri Bërns thekson se demokracia amerikane mbetet mjaftë e fuqishme. Dëshmi sipas saj, është ceremonia e nesërme e organizuar nga dy forcat politike edhe përskaj zgjedhjeve shqetësuese dhe kthesës së paprecedent që përballoi historia amerikane. Në emisionin 200 në Alsat, Bërns tha se ceremonia simbolike dhe tradicionale e transferit të pushtetit, të cilën amerikanët do ta ndjekin virtualisht, do t’iu sigurojë atyre ndjenjën e unitetit, optimizmit dhe shpresës.

“Një nga parullat e këtij inaugurimi është “Amerika e unifikuar”, demokracia jonë e përcaktuar të krijojë një union më perfekt, i cili gjithsesi është proces i lëvizjes përpara. Ajo që do të shihni nesër është fillimi i përpjekjeve për ta rikthyer unitetin në mbarë SHBA-në, por pa dyshim do të jetë një proces dhe gjithkush po pret ngjarjet e së nesërmes. Mesazhi që Presidenti do ta jep do të jetë i rëndësishëm, por do të jetë poashtu e rëndësishme se çfarë do të ndodhë në javët dhe muajt në vijim”, pohoi Kejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-së.

Bajdën vjen në krye të SHBA-së pasi shërbeu si senator për 3 dekada e më vonë si zëvendëspresident i ish Presidentit, Barack Obama. Pritet që me marrjen e detyrës ta shpejtojë vaksinimin kundër COVID-19, ta rimëkëmbë ekonominë dhe “ta bashkojë” vendin, e ndarë nga presidenca e Trumpit.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button