Shumica parlamentare shmangu “Badenterin e madh” për ligjin për përfaqësim të drejtë

 Gazetar: Suad Bajrami

Në mungesë të votave të shumicës së Badenterit, shumica parlamentare VLEN-VMRO-ZNAM, në seancën e djeshme të Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive zgjodhi rrugën më të lehtë për ta miratuar ligjin që do të rregullojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nëpër institucione. Meqë deri më tani nuk ka pasur një ligj që rregullon përfaqësimin e drejtë, Komiteti vendosi për herë të parë për mënyrën se si do jetë procedura e votimit për këtë ligj.

Sipas vendimit të Komitetit të udhëhequr nga deputeti Adnan Azizi, zgjidhja ligjore kur të vijë në seancë plenare mund të miratohet vetëm me deputetët e shumicës së Badenterit që do të jenë prezent në sallë, e cila ndryshe njihet si “Badenter i vogël”. Kjo nënkupton që mund të votohet edhe me numër më të vogël të deputetëve që përbëjnë shumicën e “Badenterit të madh” apo “Badenterit absolut” e të cilët nga gjithsej 39 sa janë aktualisht, minimumi është 20.

E për këtë vendim të VLEN-it dhe deputetëve tjerë nga shumica parlamentare, nuk ka kthim mbrapa. Sipas Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, çdo ndryshim apo plotësim i ligjit në fjalë duhet të bëhet sipas këtij parimi.

Ligji për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive – Neni 12

“Komiteti për çështjen të cilën një herë ka miratuar vendim nuk ka të drejtë të vendos sërish për të njëjtën, gjegjësisht ta ndryshojë vendimin e miratuar, nëse nuk ka fakte të reja në lidhje me nenin 10 paragrafi 2 i këtij ligji, të cilat nuk kamë qenë të njohura në momentin e miratimit të vendimit paraprak”.

Çështja e sigurimit të Badenterit, mbase është dëshmuar si një pengesë e vazhdueshme e shumicës parlamentare VMRO-VLEN-ZNAM për çka disa herë janë bllokuar zgjidhje të caktuara, meqë opozita shqiptare nuk i mbështeste. Aktualisht vetëm VLEN i ka 11 deri në 12 deputetë (nëse përfshihet edhe vota e Ilir Demirit) që bëjnë pjesë në shumicën e Badenterit, ndërsa VMRO 3. Që do të thotë se mungojnë rreth 5 deputetë.

Për këtë, miratimi i ligjit me Badenter të vogël në këtë rast do të ishte më i lehtë pasi në rast të mungesës së deputetëve të opozitës shqiptare apo deputetëve nga pakicat tjera, e që ndodh shpesh në Kuvend, atëherë shumica parlamentare do të kishte mundësi që edhe me më pak vota ta miratojë ligjin për përfaqësim të drejtë, në rrethana kur nuk i ka numrat për Badenterin e madh. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button