Si sot 21 vjet më parë u firmos Marrëveshja e Ohrit e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni

Si sot 21 vjet më parë u firmos Marrëveshja e Ohrit e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni

Gazetar: Mefail Ismaili

Sot mbushen 21 vjet nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, dokumentit që i dha fund konfliktit të vitit 2001. Për Presidentin Stevo Pendarovski përmes kësaj marrëveshjeje vendi ndërtoi një model të demokracisë funksionale multietnike që ruajti paqen dhe stabilitetin dhe vendosi standardet më të larta për të drejtat e komuniteteve.

“Sot, kur jemi dëshmitarë të një lufte në tokën evropiane dhe kur jetojmë nën presionin e kërcënimeve të vjetra dhe të reja të sigurisë, duhet të mbajmë gjithmonë para syve një nga parimet bazë të Marrëveshjes Kornizë, e cila refuzon tërësisht dhe pakushte përdorimin e dhunës për arritjen e qëllimeve politike, sepse vetëm zgjidhjet politike dhe dialogu mund të garantojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe demokratike”, tha Stevo Pendarovski, president.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se Marrëveshjes së Ohrit ka kontribuar në unifikim, dëshirën për bashkëjetesë dhe tolerancë në mes veti. Ai shtoi se pas Marrëveshja e Ohrit hapi dyert e vendit për në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Ky shtet, nga 19 korriku kur e mbajtëm konferencën e parë ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, do të shkojë vetëm para. Nuk do të shkojë prapa, nuk do të shkojë as në të majtë, e aq më pak në të djathtë. Shteti do të shkojë përpara, në anëtarësim të plotë me Bashkimin Evropian, sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Me rastin e 21 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, tha se do të vazhdojnë angazhimin për paqe, stabilitet dhe ardhmëri për vendin.

“Ashtu siç jemi në NATO, shumë shpejt i dashur Kovaçevski do të bëhemi anëtare edhe e BE-së, t’i përmbushim detyrimet tona që i kemi ndaj standardeve, luftë pa kompromis kundër krimit, korrupsionit dhe funksionimit të shtetit juridik, të shtetit ligjor dhe unë jam shumë i sigurt që të gjithë ne bashkë brenda një 5-së vjeçari do të jemi anëtarë të plotë në BE”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI.

Marrëveshja e Ohrit më 13 Gusht të 2001-ës kurorëzoi fundin e kryengritjes së shqiptarëve për të drejta të barabarta, pas bisedimeve disa mujore të filluara në Shkup e që vijuan në Vilën ‘Biljana’ në Ohër.

Korniza u firmos nga ish presidenti Boris Trajkovski, ish kryetari i VMRO DPMNE-së dhe ish kryeministri Lubço Georgievski, ish kryetari i PPD-së Imer Imeri, ish kryetari i PDSH-së Arbën Xhaferi dhe kryetari i atëhershëm i LSDM-së Branko Cërvenkovski.

Marrëveshja e Ohrit u ndërmjetësua nga përfaqësuesit e posaçëm të BE-së dhe SHBA-së Fransoa Leotar dhe Xhejms Perdju, të cilët bartin edhe rolin e garantuesit.

Marrëveshja e Ohrit parashikonte që në nenin 1 të saj, se dhuna nuk ishte më mjet për realizimin e qëllimeve politike. Palët u angazhuan për ndërprerjen e armiqësive, për zhvillimin e pushtetit të decentralizuar, për mos-diskriminim dhe përfaqësim të drejtë, për parimin e Badenterit, për arsimimin dhe përdorim të gjuhëve, për të drejtën e manifestimit të identitetit etj.

Marrëveshja e Ohrit duhej të zbatohej deri në vitin 2004 por edhe sot e kësaj dite, 21 vjet më vonë, shumë çështje mbeten të parealizuara dhe vatra krizash si në politikë ashtu edhe në marrëdhëniet ndëretnike të vendit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button