Shumë prej nesh mbështeten te pajisjet tona inteligjente për pothuajse çdo gjë që bëjmë çdo ditë, që nga zgjimi në mëngjes e deri te zhdukja e mërzisë. Megjithatë, ka mënyra për të zvogëluar përdorimin e telefonit inteligjent, veçanërisht nëse jeni një nga ata njerëz që pothuajse kanë harruar si të jetojnë pa të.
Që nga ardhja e telefonave celularë, pothuajse të gjithë ne i kemi përdorur ato si alarme për t’u zgjuar në mëngjes, që do të thotë se janë gjëja e fundit që shohim natën para gjumit dhe gjëja e parë që shohim kur hapim sytë në mëngjes. Një studim i vitit 2017 zbuloi se “përdorimi i mediave sociale në 30 minutat e fundit para gjumit tek të rriturit është i lidhur me çrregullimet e gjumit”, shkruan britanikja Guardian.
Pra, provoni ta karikoni telefonin jashtë dhomës së gjumit dhe blini një orë/alarm të vërtetë që do të bjerë në mëngjes dhe do t’ju zgjojë.
Edhe nëse arrini ta lini telefonin mënjanë për pak kohë, ka të ngjarë që ai të dridhet çdo disa sekonda, sikur t’ju lutet ta merrni përsëri në dorë. Merrni një moment dhe konfiguroni njoftimet pak më ndryshe. Qendra për Teknologjinë Njerëzore (CHT) – një organizatë jofitimprurëse e themeluar nga ekzekutivi i Google, Tristan Harris, që i ndihmon njerëzit “të jetojnë më me qëllim me pajisjet e tyre” – rekomandon bllokimin e të gjitha njoftimeve që nuk dërgohen nga njerëzit. Kjo në thelb do të thotë lejimi i njoftimeve nga aplikacionet e mesazheve, por jo gjëra të tilla si “14 miq e pëlqyen foton tuaj”.

Android dhe iOS, dy sistemet operative më të njohura, kanë aftësinë të gjurmojnë se sa kohë kaloni para ekranit dhe ofrojnë raporte javore se sa herë e kapni telefonin, sa orë e përdorni në ditë dhe cilat aplikacione përdorni më shumë. Në vend që thjesht t’i lexoni këto raporte, ndërmerrni një qasje proaktive: vendosni kufizime për aplikacionet që dëshironi të zvogëloni përdorimin e tyre. Për shembull, kufizoni Twitter-in në një orë në ditë. Sigurisht, mund të shkoni përtej afatit kohor, por këto kufizime mund t’ju ndihmojnë të çliroheni nga lëvizja pasive.
Nëse i vendosni ngjyrat në ekranin tuaj në “shkallë gri”, do të vini re se jeta reale është gjithmonë më e gjallë. Ndërfaqja e përdoruesit është projektuar në një mënyrë të tillë që ne gjithmonë të kthehemi për të shijuar ngjyrat e gjalla në ekran për një kohë më të gjatë.
Këshillë shtesë: Teknologjia nuk ka pse t’i zgjidhë të gjitha problemet tona. Para se të marrësh telefonin, pyete veten: “Pse po e bëj këtë?” Ndonjëherë mjafton të shpëtosh veten nga shfletimi pa mend vetëm sepse je i mërzitur ndërsa udhëton me ashensor.








