Siljanovska-Davkova: Nuk ka nevojë për deklaratë të re për vijat e kuqe të shtetit mbi eurointegrimet
Siljanovska-Davkova: Nuk ka nevojë për deklaratë të re për vijat e kuqe të shtetit mbi eurointegrimet
Gazetar: Miki Trajkovski
Nuk ka nevojë për miratim të ndonjë deklarate të re për vijat e kuqe në lidhje me eurointegrimet, porositi sot nga Ohri presidentja, Gordana Siljanovska Davkova, pasi opozita më herët paralajmëroi se deri në fund të javës do të dorëzojë deklaratë të tillë në Kuvend.
“Pas kaq shumë vijave të bardha, tani të flisni për vija të kuqe është absurde. Ne kemi një deklaratë dhe jo vetëm një, por disa deklarata kemi miratuar në Kuvend dhe ato nuk janë respektuar. Ne madje nuk respektuam as rezultatin e referendumit, e lëre më vijat e kuqe. Nuk e kuptoj se çfarë do të thotë vijë e kuqe në këtë drejtim, veçanërisht nuk e kuptoj argumentimin se nëse përsëri fqinji vendos veto, ne do t’i ndërpresim atëherë negociatat. Po, do t’i ndërpresim negociatat dhe kjo i konvenon fqinjit, por do ta ndryshojmë kushtetutën për herë të 37-të”, tha Gordana Siljanovska Davkova – presidente.
Siljanovska theksoi se ka ardhur koha që të gjitha partitë politike të bien dakord se si do të veprojnë jashtë shtetit.
“Le të ulen në Kuvend, le të merren vesh. Para se të japin deklarata në Bruksel, të arrijnë konsensus për mënyrën se si do të sillemi. Po të ishin sjellë kështu pas takimit për të cilin të gjithë u gëzuam në Qeveri, mendoj se edhe BE-ja do të ishte sjellë ndryshe. Nëse edhe liderët e opozitës, edhe liderët e të gjitha partive do të flisnin me një zë, duke thënë ‘mendojmë kështu e kështu, kjo është zgjidhja më e mirë’, sigurisht do të silleshin ndryshe ndaj nesh. Por të dëgjosh argumentimin – kërkuan ose propozuan ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë, nuk ua pranuan. Unë pohoj me përgjegjësi se njeriu i parë i Bashkimit Evropian, Kosta, për ndryshimet me veprim të shtyrë tha se janë një hap i jashtëzakonshëm. A thua vallë dikush mendon se ne do të propozonim ndryshime kushtetuese me veprim të shtyrë nëse për këtë nuk do të kishte bazë kushtetuese”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova – presidente.
Ndërkohë, Sofja zyrtare u ankua në Bruksel se Maqedonia nuk i përmbush detyrimet e marra dhe se ishte absurde procedura për vlerësimin e kushtetutshmërisë së protokollit të marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, e paraqitur në Gjykatën Kushtetuese nga ish-deputetja Liljana Popovska. Për këtë, presidentja Siljanovska tha se Gjykatat Kushtetuese janë jashtë ndarjes së pushtetit dhe nuk janë nën juridiksionin e politikanëve fqinj dhe se vendimet e Gjykatave Kushtetuese si në Maqedoni, ashtu edhe në Bullgari, janë përfundimtare dhe nuk komentohen. /Alsat.mk








