Siljanovska: Si presidente do të punoj për të krijuar unitet

Siljanovska: Si presidente do të punoj për të krijuar unitet

Gazetar: Lluka Andreev

Pas shpalljes së rezultateve fillestare, kandidatja Gordana Siljanovska Davkova premtoi se si presidente do të punojë për të krijuar unitet, shkruan Alsat.

Ajo bëri të ditur se do të bashkëpunojë, siç thotë, me partinë që e ka propozuar, por edhe me opozitën.

Sipas saj, presidenti duhet të jetë person jopartiak, ndërsa rezultatin e raundit të parë e ka vlerësuar si “frymëzues”.

“Ndonjëherë edhe më vjen turp, a ka mundësi që kaq shumë njerëz të reagojnë kështu? Nuk mendoj se jam e veçantë në shumë gjëra, vetëm e di që, atë që e premtoj, do ta bëj sipas mënyrës time”, tha Gordana Siljanovska Davkova – kandidate për presidente.

Stevo Pendarovski, nga ana tjetër, theksoi se nuk priste avantazh kaq të lartë për kundërshtaren e tij. Ai thotë se nga sot nis nga e para dhe pret më shumë mbështetje në raundin e dytë.

“Pres që numër dukshëm më i madh i qytetarëve të njohin konceptin që unë e promovoj në periudhën e kaluar dhe me të cilin publiku maqedonas është i njohur mirë – shtet demokratik dhe prosperues, pjesë e integrimeve euroatlantike, i barabartë me të gjithë të tjerët dhe brenda, natyrisht, ruajtjen e boshtit jetik për stabilitetin dhe sigurinë e Maqedonisë gjegjësisht marrëdhëniet ndëretnike”, u shpreh Stevo Pendarovski – kandidat për president.

Sipas kandidatit në pozitën e tretë Bujar Osmani, Fronti Evropian është lokomotiva për të ardhmen evropiane të vendit. Ai tha se vota për të dhe për Frontin është amanet për të ardhmen.

“Do të jetë vendim për politikat e ardhshme të këtij vendi. Sot shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët… kanë dëshmuar se ata vendosin vet për fatin e tyre dhe nuk do të lënë kurrë dikë tjetër të vendosë për ta. Vullneti i popullit sot është i qartë dhe duhet respektuar nga të gjithë”, tha Bujar Osmani – kandidat për president.

Nga ana tjetër, Arben Taravari theksoi se dalja masive tregon se ndryshimet kanë filluar.

“Tërmeti duket se ka filluar sot me pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhje dhe shpresoj që më 8 maj të fitojë VLEN-i dhe të vijë ndryshimi i shumëpritur, BDI të jetë në opozitë”, theksoi Arben Taravari – kandidat për president./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button