Sindikatat kërkojnë korrigjim të pagave për një jetë më dinjitoze

Sindikatat kërkojnë korrigjim të pagave për një jetë më dinjitoze

Gazetar: Ile Petrevski

Sindikatat i kanë dorëzuar Qeverisë disa modele për korrigjimin e pagave të të zgjedhurve dhe të emëruarve. Me propozimet e tyre, politikanët do të kishin ulje serioze të pagës aktuale, e cila u rrit për 78 për qind dhe të gjithë të tjerët do të merrnin pagë të mirë për një jetë dinjitoze. Nga Lidhja e Sindikatave për Alsat thonë se propozimet e tyre të hënën do t’i prezantohen Këshillit Ekonomik dhe Social të Qeverisë.

“Propozimi ynë bazohet në atë që pagat e zyrtarëve të shumëzohen me koeficientin 2.20 deri në 4.50 të presidentit të shtetit dhe pagat e punëtorëve të shumëzohen me 2.20 të pagës mesatare. Kjo do të nënkuptonte rritje të madhe të pagave në shtet, ose një polic do të merrte rreth tetë mijë denarë rritje page”, tha Sllobodan Trendafilov, LSM.

Lidhja e Sindikatave të Lira thotë se duhet të ketë përllogaritje të njëjtë të pagave, si për nëpunësit, ashtu edhe për zyrtarët. Plani i tyre është të përllogarisin shumën e pagës minimale sipas koeficientit të kompleksitetit dhe ta zbatojnë atë për të gjithë punonjësit në sektorin publik.

“Për shembull, paga minimale në këtë moment është 20.175 denarë, ndërsa paga mesatare është rreth 34.000 denarë. Kjo do të thotë se diferenca është rreth 14 mijë denarë. Nëse koeficienti është nga një deri në dy me 14 mijë, për aq do t’u zvogëloheshin pagat zyrtarëve ? Nëse për shembull presidenti ka koeficient 5, paga do të ulej brenda kufijve që do të ishte normale”, u shpreh Bllagoja Rallpovski LSL.

Ndërkohë nuk ndalen reagimet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar një nen të ligjit, pas të cilit pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve u rritën deri për 78 për qind. Kjo ndodh në kohën kur sindikatat me muaj protestojnë për korrigjim të pagave të punëtorëve për vetëm 2000 denarë. Në këtë rast, pushteti tha se nuk kishte para në buxhet, por paratë u gjetën menjëherë kur zyrtarët e lartë morën të ardhura mujore që në disa raste i kalonin 2000 euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button