Situatë e tensionuar në veriun e Kosovës

Situatë e tensionuar në veriun e Kosovës

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit, komuna të banuara me shumicë serbe përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh. Paraprakisht, ajo njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse. Policia përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.

Në Zveçan u dëgjuan edhe të shtëna armësh, ndërsa në vendngjarje u panë edhe automjete të ndihmës së shpejtë. Sipas një njoftimi të policisë, pesë zyrtarë policorë atje pësuan lëndime trupore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se i dënojnë veprimet e autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. “Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, në Twitter. Senatori amerikan, Kris Mërfi i cili vizitoi Kosovën këtë javë, tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka përmendur “ndonjë plan për të hyrë në këto komuna”.

“Si një mik i Kosovës jam zënë në befasi dhe Albin Kurti duhet ta ndalojë këtë provokim menjëherë”, shkroi Mërfi në Tuiter.

Ai shtoi se zyrtarët “kanë teknikisht të drejtë të kenë qasje në këto objekte”, por, sipas tij, në këtë situatë të tensionuar, ky është një “provokim i qëllimshëm dhe hap i panevojshëm”.

Autoritetet e Kosovës fajësuan “strukturat kriminale dhe ilegale” të Serbisë për përshkallëzimin e situatës.

“Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, shkroi në Tuitter Blerim Vela, shef i stafit të presidentes Vjosa Osmani.

I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar, ku presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe në nivelin më të lartë. Mediat serbe raportuan se ushtria serbe ka marrë urdhër që “të lëvizë urgjentisht” drejt kufirit me Kosovën. Këto zhvillime vijnë në ditën kur një numër i qytetarëve serbë nga veriu i Kosovës raportohet se ka udhëtuar për në Beograd, për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të Vuçiqit.

Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – që të gjithë shqiptarë – bënë betimin më 25 maj, duke marrë kështu pushtetin lokal në këto tri komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ceremonitë e betimit u mbajtën në objekte publike, sepse në objektet e komunave ka organe të përkohshme komunale, të cilat punojnë në sistemin e Serbisë. Vetëm në Mitrovicë të Veriut ekziston një ndërtesë komunale që funksionon sipas sistemit të Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button