Gazetar: Mihajllo Donev
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk zbulon detaje të reja rreth arrestimit të ish-Avokatit të Shtetit Fehmi Stafa, i dyshuar se ka marrë ryshfet prej 50.000 euro për të ndërmjetësuar tek një gjykatës i Gjykatës së Apelit në Shkup dhe për të ndikuar në heqjen e masës së paraburgimit për një person që është në arrati. Megjithatë, Prokuroria nuk tregon kush e ka denoncuar rastin, as nëse një pjesë e parave që ka marrë Stafa si ryshfet kanë përfunduar tek gjykatësi. Nga Prokuroria sot thonë se rasti është me natyrë të ndjeshme dhe se do të ndahen detaje kur prokurori ta vlerësojë të përshtatshme.
“Hetimi sapo ka filluar, po punohet për lëndën dhe për gjithçka do të informoheni më tej atëherë kur prokurori të vlerësojë se informacionet e dhëna nuk do të ndikojnë në rrjedhën e procedurës”, thonë nga PTHP NKOK.
Jozyrtarisht, ish-Avokati i Shtetit Stafa ka marrë ryshfet për të siguruar heqjen e paraburgimit për klientin e tij Lupço Pecov- “Djalli”, i cili është në arrati dhe i dyshuar për krim financiar në rastin “Zinxhiri”. Megjithatë, sot Apeli doli me njoftim se ankesa e avokatit Stafa është refuzuar dhe Pecov do të shkojë në paraburgim efektiv menjëherë sapo të arrestohet.
“Këshilli Penal i Gjykatës së Apelit- Shkup njëzëri e refuzoi ankesën e të dyshuarit Lupço Pecov nga Negotina dhe e konfirmoi vendimin e Gjykatës Penale- Shkup, me të cilin është refuzuar propozimi për heqjen e masës së paraburgimit dhe caktimin e një mase për sigurimin e prezencës së të dyshuarit – garanci”, u shpreh Gjykata e Apelit Shkup.
Nga Apeli për Alsat konfirmuan se gjyqtari-raportues për këtë rast është Gjoko Ristov, i cili nuk iu përgjigj thirrjeve tona, duke lënë të paqartë nëse dhe në çfarë mënyre Stafa ka tentuar të ndikojë mbi të pasi tashmë kishte marrë një pjesë të ryshfetit të rënë dakord nga klienti i tij. Prokuroria njoftoi se më 6 tetor të këtij viti Stafa ka marrë 30.000 euro ryshfet, të cilat ia ka dorëzuar motra e personit që është në arrati. Më 13 dhjetor, i dyshuari ka kërkuar dhe ka marrë drejtpërdrejt edhe 20.000 euro shtesë, kinse për ryshfet për gjykatësin. Menjëherë pas marrjes së parave, Fehmi Stafa është privuar nga liria./ Alsat.mk








