Skandal në FFM: 18 të dyshuar për shpërdorim të 2.9 milionë eurove, në listë edhe Sejdini e Gjorgjioski
Gazetar: Angell Dimovski
Ish-kryetarët e FFM-së, Muhamed Sejdini dhe Ilço Gjorgjioski, janë në mesin e 18 të dyshuarve për shpërdorimin e mbi 2,9 milionë eurove nga Federata e Futbollit e Maqedonisë. Në prodecurë hetimore janë edhe 8 subjekte juridike. Në aksionin e sotëm të Policisë Financiare, MPB-së dhe Prokurorisë janë arrestuar 12 persona, ndërsa 5 të tjerë janë të pakapshëm për organet e rendit. Sipas hetimit, të dyshuarit, përmes keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe në koordinim me një person udhëheqës në FFM, kanë tërhequr në mënyrë të paligjshme para nga Federata.
“Me urdhrin përfshihen dy ish-kryetarë të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Përvetësim në shërbim’, udhëheqësja e Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit në FFM, 14 drejtues, pronarë dhe persona të autorizuar, si dhe drejtuesi i Departamentit për Gjyqtarë në FFM. Përveç veprës penale ‘Përvetësim në shërbim’, ata ngarkohen edhe për veprën penale ‘Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale.” – Prokuroria.
- Për dy ish-kryetarë të FFM-së ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale “Përvetësim në shërbim”
Po ashtu, procedura hetimore përfshin edhe tetë kompani, për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale “Përvetësim në shërbim” dhe “Pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga vepra penale”.
“Sipas provave të siguruara në procedurën parahetimore, i dyshuari i parë, në cilësinë e kryetarit të FFM-së, së bashku dhe me marrëveshje paraprake me të dyshuarën – udhëheqësen e Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, gjatë periudhës nga 1 janari 2015 deri më 25 korrik 2018, përmes disa veprimeve të ndërlidhura në kohë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror për veten dhe persona të tjerë, kanë përvetësuar rreth 2 milionë euro. I dyshuari i dytë, gjithashtu në cilësinë e kryetarit të FFM-së, së bashku dhe me marrëveshje paraprake me të njëjtën të dyshuar, gjatë periudhës nga 25 korrik 2018 deri më 10 tetor 2019, përmes disa veprimeve të ndërlidhura në kohë, ka përvetësuar mbi 860.000 euro.” – Prokuroria.
- I dyshuari i parë, në cilësinë e kryetarit të FFM-së, së bashku me udhëheqësen e Departamentit të Financave kanë përvetësuar rreth 2 milionë euro
- I dyshuari i dytë, në cilësinë e kryetarit të FFM-së, së bashku me të dyshuarën e njëjtë ka përvetësuar mbi 860.000 euro
Të dyshuarit kanë shkaktuar dëm ndaj Federatës së Futbollit të Maqedonisë prej mbi 2,9 milionë euro. Të dyshuarit, drejtuesit, pronarët dhe personat e autorizuar të personave juridikë, në emër të tyre dhe për llogari të tyre, kanë lëshuar fatura të rreme për shërbime gjoja të kryera dhe mallra të dorëzuara për FFM-në. Në bazë të këtyre faturave, e dyshuara udhëheqëse ka përgatitur urdhërpagesa, të cilat më pas u janë dorëzuar personave përgjegjës në FFM për miratim dhe nënshkrim. /Alsat.mk








