Sllovenia do të zvogëlojë numrin e ushtarëve të saj në KFOR

Ministri i Mbrojtjes sllovene Matej Tonin dhe shefi i shtabit të përgjithshëm gjeneral majori Robert Glavash vizituan trupat sllovene që aktualisht shërbejnë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe njoftuan se Sllovenia do të zvogëlojë numrin e ushtarëve në mision për shkak të rishpërndarjes së forcave.

“Sllovenia ka në plan të zvogëlojë kontributin e saj në KFOR deri në një masë, pasi një pjesë e trupave të saj në Kosovë do të transferohen në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe misione të tjera të BE,” i tha Tonin komandantit të KFOR-it gjeneral Major Franco Federici, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Sllovenisë.

Sipas agjencisë së lajmeve STA, ministri slloven konfirmoi se përkundër kësaj, KFOR do të mbetet misioni më i rëndësishëm dhe kryesor për Slloveninë, pasi më shumë se gjysma e ushtarëve sllovenë të vendosur jashtë vendit do të vazhdojnë të shërbejnë në mision.

Ende nuk dihet se sa ushtarë sllovenë që shërbejnë në KFOR do të transferohen.

Për momentin, ka pak më shumë se 250 prej tyre në Kosovë, sipas agjencisë STA.

LEXO EDHE:

Back to top button