Sopotasit e dënuar në mungesë kërkojnë dëmshpërblim prej 48 milion denarësh

Sopotasit që ishin dënuar në mungesë, kërkojnë dëmshpërblim për gjykimin e padrejtë ndaj tyre. 4 nga ish të dënuarit kërkojnë që shteti t’i dëmshpërblejë për prishje të imazhit, integritetit personal dhe familjar. Procesi është pranë përfundimit, por që të mos zvarriten procedurat, pala e dëmtuar dhe Avokati i Shtetit janë marrë vesh që dëmshpërblimi të bëhet përmes marrëveshjes. Avokati Vullnet Paçuku thotë se vlera e kërkuar për dëmshpërblim nuk është e paluhatshme.

Kërkesa për padi është për katër persona: Selman Jahiji, Bashkim Ukshini, Afrim Ukshini dhe Musa Klaiqi. Vlera në total për këta persona është 48 milion denarë të cilën neve e kërkojmë, por varësisht edhe prej ofertës që neve e pranojmë prej Qeverisë, respektivisht avokatit të shtetit – tha Vullnet Paçuku, Avokat.

Paçuku shtonës Ministria e Drejtësisë njëjtë si në procedurën e parë vepron pa përgjegjësi. Sipas tij, padia ndaj shtetit rrezikon zvarritjen e procedurës dhe shumëfishimin e harxhimeve tek palët.

Mendimi im është se kjo qasje e Ministrisë së Drejtësisë është jo e drejtë. Ligji i procedurës penale na detyron që në procedurë dëmshpërblimi t’i drejtohemi dikasterit të Drejtësisë. Kjo ministri ka të drejtë që këto raste t’i përpunojë dhe të na ofrojë marrëveshje jashtë gjyqësore dhe të bëhet pagesa e dëmshpërblimit – deklaroi Vullnet Paçuku, Avokat.

Ministria e Drejtësisë qasje të njëjtë kishte edhe ndaj grupit të parë të dëmshpërblyer. Madje edhe pas marrëveshjes me Avokatin e Shtetit, Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve kishte tentuar sabotimin e procesit duke dërguar të dhëna të rrejshme në Qeveri, me qëllim që dëmshpërblimi të mos miratohet mbi bazën e procesverbaleve jo të njëjta për kohën e kaluar në burg. Më 7 mars të vitit 2019 Qeveria dëmshpërbleu 6 ish të dënuarit në rastin Sopoti me 73 milion denarë. Në këtë grup ishin personat të cilët kishin vuajtur dënimin me burg për veprën terrorizëm. Procedura gjyqësore për Sopotasi mori fund pas pothuajse 15 viteve. E vërteta që doli në pah nga përgjimet të cilat i posedon PSP-ja, bëri që kjo e fundit të tërhiqet nga akuza. Për vendosjen e minës në fshatin Sopot të Kumanovës në vitin 2003 ku si pasojë humbën jetën 2 ushtarë polak dhe një përkthyes, 11 banorë të këtij fshati ishin dënuar me mbi 135 vite burg.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button