Sot shpallet aktgjykimi për Salih Mustafën

Sot shpallet aktgjykimi për Salih Mustafën

Gjykata Speciale sot do të shpallë aktgjykimin lidhur me rastin e Sali Mustafës.

“Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës, më 16 dhjetor 2022 në orën 9:00”, njoftojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton televizioni publik i Kosovës.

Prokurori i Specializuar e akuzon Salih Mustafën për përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në rajonin Gollak të Kosovës.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim: Akuzat janë si më poshtë: Katër akuza për krime lufte: Ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Më 24 shtator 2020, Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 28 shtator 2020, bëri paraqitjen e parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e mëtejshme më 28 tetor 2020, z. Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat e paraqitura në aktakuzë.

Palët, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Mbrojtja dorëzuan (në mënyrë konfidenciale) versionet më të fundit të dosjeve paraprake, përkatësisht më 22 shkurt dhe 6 maj 2021. Më 7 maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues.

Tetë viktima morën pjesë në procesin gjyqësor si një grup i vetëm dhe u përfaqësuan në sallën e gjyqit nga mbrojtësja e viktimave.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtëses së viktimave. ZPS-ja thirri 14 dëshmitarë dhe më 4 shkurt 2022 mbylli paraqitjen e provave të veta.

Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së.

Më 21 mars paraqiti prova mbrojtësja e viktimave, kur një nga viktimat pjesëmarrëse në çështjen gjyqësore i shprehu pikëpamjet dhe shqetësimet Trupit Gjykues.

Më 22 mars 2022, Mbrojtja filloi paraqitjen e provave të veta dhe thirri 15 dëshmitarë për të dhënë dëshmi. Më 22 maj 2022 Mbrojtja njoftoi mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të veta.
Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundër prova, ku thirri një dëshmitar dhe paraqiti prova shkresore shtesë.

Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues kërkoi prova shtesë në bazë të rregullës 132 të Rregullores, konkretisht dy aktekspertiza lidhur me vlerësimin mjekësor të disa prej viktimave të pranuara në këtë çështje gjyqësore./klankosova

LEXO EDHE:

Back to top button