Spasovski: Po punohet për vërtetimin e përgjegjësive penale në Bllacë

Gazetar: Adrian Kerimi

Kundër 30 policëve të sistemuar në vendkalimin kufitar “Bllacë” me Republikën e Kosovës mund të ketë edhe përgjegjësi penale. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski tha se pas konstatimit të përgjegjësisë disiplinore ndaj 30 policëve ditë më parë, po punohet për vërtetimin e përgjegjësive penale.

“Përveç përgjegjësisë disiplinore, do të ketë edhe përgjegjësi materiale. Jemi duke punuar me prokurorinë, përkatësisht Departamentin për Ndjekjen e Veprave Penale të kryera nga nëpunësit policor dhe Prokurorinë kundër Krimit të Organizuar. Derisa të vërtetohet se ka elemente të veprës penale, sigurisht që do të ketë edhe përgjegjësi penale”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm

Sot policia ka arrestuar një 56 vjeçar në tentativë për të korruptuar policinë në vendkalimin kufitar me Kosovën.

“Policia ka arrestuar një shtetas të Kosovës në vendkalimin kufitar në “Bllacë”. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur mallra me vlerë të madhe, por që nuk kanë poseduar dokumentacion përkatës për doganim. Për t’i kaluar mallrat shtetasi i Kosovës ka tentuar t’i jep “dhuratë” policit duke i vendosur të holla në pasaportën të cilën ia kishte dorëzuar për identifikim”, deklaruan nga Ministria e Brendshme

Ditë më parë dikasteri i Brendshëm njoftoi se kundër 30 policëve është konstatuar përgjegjësia disiplinore dhe materiale për shkak të prishjes së kamerave mobile-trupore me të cilat policia regjistron bashkëbisedimin gjatë legjitimimit. Kamerat trupore mësohet të jenë prishur me qëllim mënjanimin e gjurmëve korruptive. Ndërkohë dy policët e suspenduar për mit marrje muaj më parë kanë përfunduar me kallëzime penale. Për momentin ndaj tyre nuk ka ndjekje penale dhe as masa kujdesi për abuzim me detyrën zyrtare. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button