Stoltenberg për vizitë dyditore në Shkup
Stoltenberg për vizitë dyditore në Shkup

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot pasdite do të qëndroj për një vizitë dyditore në Shkup, në kuadër të turneut të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan Alsat.
Siç është paralajmëruar, vizitën zyrtare Stoltenberg do ta fillojë në Qeveri, pas së cilës do të mbahet një konferencë e përbashkët për media me nikoqirin e tij, kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pasdite do t’u drejtohet edhe deputetëve në Kuvend, në kuadër të seancës së 132-të, pas së cilës do të pritet nga presidenti Stevo Pendarovski në kabinetin e tij.
“Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, më 21 nëntor 2023 (e martë) në orën 15:25 do të pret në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që është vizita e parë që kur vendi është anëtar i plotfuqishëm i NATO-s. Sipas agjendës për vizitën zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, menjëherë pas ceremonisë së pritjes është paraparë takim kokë më kokë me Kryeministrin Kovaçevski, pas së cilës do të vijojë takimi bilateral i dy delegacioneve. Në përbërje të delegacionit të maqedonas do të jenë ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
ndërkohë Ministria për Punë të Brendshme njofton se sot dhe nesër për shkak të ardhjes së një numri të madh të delegacioneve të huaja, në zonën e gjerë të qytetit të Shkupit do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit. Për këtë, Sektori për Punë të Brendshme Shkup apelon qytetarët që të respektojnë urdhrat e zyrtarëve policorë në rrugë. /Alsat.mk