Strasburgu: Falja mbetet e shfuqizuar
Strasburgu: Falja mbetet e shfuqizuar

Gazetar: Ardit Ramadani
Dështoi përpjekja e ish-presidentit Gjorge Ivanov si dhe palës mbrojtëse për t’i shpëtuar nga drejtësia të akuzuarit nga rastet e ish Prokurorisë Speciale. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg pas më shumë se pesë vitesh vlerësoi se ankesat e palëve janë të pabaza pasi të akuzuarit si dhe të dënuarit, ende nuk kanë shterur të gjitha mjetet juridike vendore, që është parakusht i kësaj gjykate për të vendosur në lidhje me lëndët gjyqësore të shteteve përkatëse. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe presidenti Stevo Pendarovski këtë vendim e konsideruan si sukses të shtetit.
“Kjo është fitore e madhe dhe sukses i madh i shteti tonë. Ekipi nga Maqedonia me të vërtetë bëri maksimumin dhe fitoi në një rast jashtëzakonisht kompleks. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të pamasë për punën e tyre të përkushtuar gjatë periudhës së kaluar. Me vendimin e Gjykatës së Strasburgut, i cili në këtë rast është në favor të shtetit, ankesat e aplikantëve u shpallën të papranueshme në tërësi, përfshirë edhe pjesën për faljet e pretenduara,” tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër i RMV-së.
Edhe nga Aleanca për Shqiptarët potencojnë se ky vendim sjell shpresë për drejtësinë e vendit, sipas tyre Strasburgu ka goditur rëndë ata që kanë tentuar të bëjnë pazare me drejtësinë në interes të kriminelëve.
Nga VMRO DPMNE-ja vendimin e Gjykatës së Strasburgut e interpretojnë ndryshe, nga kjo parti i bënë thirrje qeverisë të mos e defokusojë situatën pasi sipas tyre, drejtësia do të dalë në shesh.
“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka marrë vendim në të cilin thotë se kërkesat e paraqitura nga aplikantët janë të parakohshme dhe nuk hyn në thelbin e kërkesave. Në vendim thuhet se nuk janë ezauruar të gjithë mekanizmat juridikë në Maqedoni. Qeveria në vend që të festojë për defokusim duhet të shqetësohet për këtë vendim, sepse thelbi dhe drejtësia një ditë do të dalin në shesh,” deklaruan nga VMRO DPMNE.
Në një vijë me të është edhe avokati Vllatko Ilievski që kishte deponuar ankesën e parë në Strasburg, ai është bashkëshort i isht ministres së brendshme, Gordana Jankullovska.
“Është e çuditshme pak që gjykatës i janë dashur 5 vjet e gjysmë që të vendosë që aplikimi është i parakohshëm. Thelbi i aplikimit ishte se aplikuesit aspak nuk është dashur të gjykohen dhe për këtë arsye nuk duhej të pritet vendim nga gjykatat e vendit. Mendoj se Qeveria nuk ka nevojë të gëzohet ose të tregojë triumfalizëm sepse ky nuk është aplikim i refuzuar për shkak se është i pabazuar, por për shkak se është i parakohshëm. Shpresoj se gjykatat e vendit i kanë parasysh argumentet që janë përdorur në aplikimet dhe do t’i implementojnë në mënyrë adekuate në aktgjykimet që vijojnë,” U SHPREH Vlatko Ilievski, avokat.
Në abolimin e Gjorge Ivanov të vitit 2016 ishin të përfshirë gjithsej 56 persona ndërkaq në vitin 2017 vetëm disa prej tyre u ankuan në Strasburg për atë që sipas tyre, falja e presidentit nuk mund të tërhiqet dhe ata nuk duhet të ndiqen penalisht për lëndët që kanë të bëjnë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e mjeteve përgjuese, “Target Fortesa” për parregullsi zgjedhore, “Titanik” për keqpërdorim në organizimin e transportit të nxënësve në Manastir, “Transportuesi”, si dhe lënda për rrënimin e objektit “Kozmos” të njohur si “TNT”.
Në mesin e emrave që fillimisht i fali dhe pastaj e tërhoqi vendimin, janë Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov, Gordana Jankullovska, Mile Janakieski, Zoran Zaev, Branko Cërvenkovski, Menduh Thaçi, Bedredin Ibraimi, Fatime Fetai, Lile Stefanova dhe tjerë. /alsat.mk