Strategjia e re për diasporën: Angazhim afatgjatë për gjuhën, kulturën dhe shërbimet
Strategjia e re për diasporën: Angazhim afatgjatë për gjuhën, kulturën dhe shërbimet
Me Strategjinë kombëtare për bashkëpunim me diasporën për periudhën 2025-2030 qeveria premton se më në fund, vërtet, sistematikisht dhe afatgjatë t’i përkushtohet popullit që jeton përtej kufijve. Ministri i Jashtëm Timço Mucunski, gjatë prezantimit të draftit në qeveri, theksoi shërbime më të mira konsullore. Ai shtoi gjithashtu se mbështetja institucionale për kulturën, arsimin dhe gjuhën është thelbësore, sepse është pikërisht gjuha dhe dija që janë rrënjët që ruajnë veçantinë në botën e globalizuar. Drafti do të jetë i qasshëm për publikun në ditët në vijim, dhe çdo palë e interesuar do të jetë në gjendje të japë kontribute shtesë për përmirësimin e mëtejshëm të Strategjisë.
“Strategjia mes tjerash parashikon edhe shërbime më të mira, më të shpejta dhe më profesionale konsullore. Reformat që i parashikojmë janë thelbësore; ligje të reja, procedura të qarta dhe koordinim funksional ndërinstitucional, platformë dixhitale për shërbime të qasshme 24/7 nga cilido shtet në botë, formularë dhe nënshkrime elektronike, ndjekje e statusit të kërkesave, trajnime për nëpunësit në konsullata, standarde të reja dhe sistem i ri i llogaridhënies, sistem për dialog të rregullt dhe informacione kthyese”, tha Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm. /Alsat.mk








