Sulme të pamëshirshme në gjithë Ukrainën, dhjetëra të vrarë e të plagosur

Sulme të pamëshirshme në gjithë Ukrainën, dhjetëra të vrarë e të plagosur

Gazetar: Isuf Kadriu

Dhjetëra të vrarë dhe të plagosur është bilanci i sulmeve me raketa të armatës ruse në pothuajse gjitha qytetet e Ukrainës, si kundërpërgjigje ndaj bombardimit të urës që lidh Rusinë me gadishullin e pushtuar të Krimes në vitin 2014.

Sulmet ruse janë kryer nga deti duke përdorur hapësirën ajrore të Moldavisë por edhe nga rajone tjera ku është përqendruar armata ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Armata ukrainase njoftoi se forcat ruse kanë lëshuar të paktën 75 raketa në Kiev dhe në qytetet në jug dhe perëndim të vendit.

Në Kiev dhe qytetin perëndimor ukrainas, Lviv, janë goditur ndërtesat e energjisë dhe infrastrukturë tjetër kyçe që ka lënë qytetin pa rrymë dhe pa ujë.

Në kryeqytetin Ukrainës është bombarduar edhe një urë që pikë kyçe për infrastrukturën ukrainase.

Por në shënjestër kanë qenë edhe objektiva civile për çka flasin edhe pamjet që janë transmetuar nga mediat botërore.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy iu drejtua kombit të tij para zyrës presidenciale në Kiev. Zelenski tha se regjimi në Moskë synon futjen e panikës në popull me sulme të këtilla terroriste por ai tha ukrainës do t’ia dalin të sigurt në fitoren e tyre.

“Mëngjesi është i vështirë. Kemi të bëjmë me terroristë…Ata janë në panik, kërkojnë kaos. Duan të shkatërrojnë sistemin tonë energjetik. Ata janë të pashpresë. Objektivi i dytë janë njerëzit. Ata zgjodhën qëllimisht kohën kur kishte një grevë, për të shkaktuar sa më shumë dëm. Por ne jemi ukrainas dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin ne besojmë në veten tonë. Ne do të rindërtojmë gjithçka që u shkatërrua. Tani mund të ketë ndërprerje të përkohshme në energjinë elektrike, por nuk do t’ia arrijnë pasi fitorja jonë është e sigurt”, deklaroi Volodymyr Zelensky, President Ukrainës.

Presidenti rus Vlladimir Putin tha se tha se sulmet në Ukrainë ishin kundërpërgjigje ndaj veprimeve të Kievit, që ai i cilësoi “terroriste”, përfshirë edhe sulmin gjatë fundjavës në urën që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

“Regjimi i Kievit, me veprimet e tij, në fakt e ka vënë veten në të njëjtin nivel me formacionet terroriste ndërkombëtare, grupet më famëkeqe. Është thjesht e pamundur të lihen krime të këtij lloji pa përgjigje. Mëngjesin e sotëm, me sugjerim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sipas planit të Shtabit të Përgjithshëm rus, u krye një sulm masiv me armë ajrore, detare dhe tokësore me rreze të gjatë veprimi kundër objekteve të energjisë, komandës ushtarake dhe komunikimit të Ukrainës”, tha Vladimir Putin, president i Rusisë.

Sulmet ruse janë dënuar nga NATO-ja dhe Bashkimi Evropian duke i quajtur tmerruese. Kreu i Aleancës Stolternber tha se NATO-ja do të vazhdoj të ndihmoj Ukrainasit e guximshëm që të luftojnë agresorët e Kremlinit për aq kohë sa është e nevojshme.

Ndërkohë Gjermania tha se do të dërgojë në Ukrainë katër sistemet e para të mbrojtjes ajrore të llojit IRIS-T SLM. “Sulmet e reja me raketa në Kiev dhe në qytete të tjera të mëdha, e kanë bërë të qartë se sa e rëndësishme është që në Ukrainë të dërgohen shpejt sisteme të mbrojtjes ajrore”, njoftoi ministria gjermane e mbrojtjes./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button