Sulmet ruse, zjarr në fabrikën kimike

Sulmet ruse, zjarr në fabrikën kimike

Sulmet ruse kanë shkaktuar një zjarr të madh në një fabrikë kimike në qytetin kyç lindor Severodonetsk, ku luftimet nuk kanë të ndalur. Guvernatori i rajonit Serhiy Haidai tha se zjarri filloi pas një rrjedhjeje dhjetëra tonësh nafte nga radiatorët e dëmtuar në uzinën Azot. Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 800 civilë janë fshehur në strehimoret nëntokësore të bombave në uzinën Azot. Duke përshkruar situatën aktuale në Severodonjeck, Haidai tha se ishte “e vështirë, por nën kontroll”. Pas më shumë se 100 ditësh luftë, presidenti ukrainas ka thënë se ushtria e tij nuk do të dorëzohet.

“A e mbani mend se si Rusia shpresonte ta marrë gjithë Donbasin në fillim të majit? Kanë kaluar më shumë se 100 ditë nga lufta, jemi ne qershor.  Humbjet që pësuan pushtuesit në këtë zonë, janë jashtëzakonisht të mëdha. Në total, ushtria ruse sot ka rreth 32,000 të vdekur. Për cfarë? Çfarë fitoi Rusia? Deklaroi Volodimir Zelenski, president i Ukrainës

Ndërkohë BE-ja po përballet me një vendim ‘historik’ për anëtarësimin e Ukrainës në samitin që do të mbahet me 23 dhe 24 qershor. Në këtë takim do të vendoset nëse do t’i jepet Ukrainës statusi  i anëtarësimit. Gjatë kthimit nga Kievi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se shpreson se pas 20 vitesh, kur të shikohet prapa, vendet e BE-së do të jenë në gjendje të thonë se bënë gjënë e duhur.

Në muajin e katërt të tij, lufta ka vrarë mijëra njerëz nga të dyja anët dhe ka zhvendosur më shumë se 12 milionë të tjerë nga shtëpitë e tyre, prej tyre mbi 6.5 milionë jashtë kufijve të Ukrainës. Sipas Kombeve të Bashkuara, gjysma e bizneseve të Ukrainës janë mbyllur dhe 4.8 milionë vende pune janë humbur. Po sipas OKB-së, prodhimi ekonomik i vendit do të bjerë përgjysmë këtë vit, ndërsa 90% e popullsisë rrezikon të bjerë pranë ose nën kufirin e varfërisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button