Sulmohet policia e Kosovës në veri, Sveçla: Sulmi ndaj policisë, terrorist

Sulmohet policia e Kosovës në veri, Sveçla: Sulmi ndaj policisë, terrorist

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Sulm me granata dhe kallashnikovë ndaj Policisë së Kosovës në veri, teksa patrulla ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë, shkruan Alsat.

Sulmi i sotëm ndaj policisë është i katërti në tri ditët e fundit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se sulmet ndaj policëve kishin për qëllim të pengojnë aksionet kundër kontrabandës.

“Sulmi është kryer me granatë dore dhe me armë zjarri që dyshohet të jetë e tipit AK47. Ky është xhami i njërës prej veturave që nënkupton është gjuajtur drejtpërdrejt për tu lënduar personi”, tha Smedin Mehmeti, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

“Gjitha njësitë policore tashmë janë angazhuar të zbulojnë gjithçka ka ndodhur në këto raste. Shumë shpejtë Policia e Kosovës do të del me rezultate konkrete sa i takon pjesëtareve të këtij grupi terrorist që ka shkaktuar këto sulme”, u shpreh Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme.

Sveçla tha se Serbia po tenton të destabilizojë Kosovën por situata sipas tij është stabile.

“Ne nuk i frikësohemi çfarëdolloj skenari të Serbisë, jemi të gatshëm që të përballemi me çfarëdo lloj skenari të Serbisë, posaçërisht kur kemi parasysh përkrahjen parezervë që marrim nga vendet mike”, theksoi Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se “këto akte kriminale janë alarm për të gjithë”. Zyra e BE-së në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”. Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe. Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti njoftoi se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button