Takimi me Escobarin, Kurti: Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin në Banjskë

Takimi me Escobarin, Kurti: Serbisë t’i kërkohet llogari për sulmin në Banjskë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje të takimit me të dërguarin e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë së enjtes në Prishtinë.

Në një shkrim në llogarinë zyrtare në platformën “X”, Kurti tha se e ka informuar Escobarin për hapat që ka ndërmarrë Qeveria për të mbështetur tranzicionin Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

Po ashtu, ka theksuar nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë.

“Është kënaqësi për t’u takuar me të dërguarin e Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. E falënderoj për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe theksoj nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin në Banjskë. Gjithashtu e informova atë për hapat që ka ndërmarrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin Bankës Qendrore të Kosovës, dhe gatishmërinë tonë për të adresuar çështjet në vazhdim”, shkroi Kurti.

Escobar: Kurti më premtoi se do të shqyrtojë propozimet e mia për dinarin

Pas takimit të mbajtur në Qeverinë e Kosovës, emisari amerikan deklaroi për mediat më 14 mars se kryeministri kosovar i ka premtuar se do të shqyrtojë disa prej propozimeve të tij që kanë të bëjnë me çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit serb.

Ai tha se askush nuk mund të mos preket kur dëgjon se si pjesa më e cenueshme e shoqërisë nga komuniteti serb po ndikohet nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.

“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që ia paraqita sot”, tha Escobar pas takimit gati dy orësh që zhvilloi me Kurtin.

Emisari amerikan tha se SHBA-ja mbetet parnerja më e besueshme dhe më e angazhuar e Kosovës. Por, tha se çështja e dinarit paraqet sfida në raportet me Kosovën.

“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Është për keqardhje që duhet të kalojmë nëpër këtë situatë. Por, rregullorja e BQK-së për dinarin ka shkaktuar probleme për disa prej qytetarëve e këtij shteti dhe jemi shumë të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë”, tha Escobar.

I pyetur nëse SHBA-ja ka një qasje të pabalancuar kundrejt Kosovës, Escobar tha se shteti i tij që nga viti i kaluar ka bërë gjithçka në favor të Kosovës.

Ai tha se Washingtoni ka mbështetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka mbështetur proceset demokratike, përfshirë zgjedhjet në veri të Kosovës, e ka mbështetur Prishtinën pas sulmit të armatosur në Banjskë dhe ka mbështetur vendimin për shitjen e sistemeve kundërtanke Javelin.

“Si mund të jemi të pabalancuar? Nuk jemi. Gjithçka që kemi bërë ka qenë për Kosovën dhe do të vazhdojmë të veprojmë kështu. Ndërkohë, ne shpresojmë që Kosova të mund të dëgjojë shqetësimet tona dhe kjo nuk besoj që duhet të jetë shumë e vështirë”, tha ai.

Zyrtari amerikan tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile gjatë një takimi të dialogut të martën e ardhshme.

LEXO EDHE:

Back to top button