Taravari nuk e thotë fjalën e fundit nëse do të jetë në VLEN apo jo
Taravari nuk e thotë fjalën e fundit nëse do të jetë në VLEN apo jo

“As rrugën e malit e as të asfaltit”. Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët nuk e thotë fjalën e fundit ende nëse do të vazhdojë të jetë në VLEN apo jo, të paktën deri në 6 prill. Megjithatë, nuk e mohon edhe kontaktin dhe bisedat me BDI-në dhe kreun e saj. ALSAT mësoi nga burime të të dy kampeve se një bisedë 40 minutëshe e ka bërë Taravarin të lëkundet në bindjet, që deri dje, i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Madje, edhe deklarata e fundit për bashkëpunim, e konkretizuar në intervistën e djeshme, ka populluar rrjetet sociale me reagime të aktivistëve e analistëve politikë. Taravari thoshte se BDI-ja ishte armiku i tyre përbashkët, madje ai shkonte deri aty sa ta quante dhe kancer të shoqërisë. Sipas simbolikës, BDI-ja ishte shkaktari kryesor që Aleancën për Shqiptarët e ndau në dysh, kur në zgjedhjet e fundit parlamentare Ziadin Sela u rreshtua në krah të Ali Ahmetit, akt të cilën vetë Taravari e cilësoi si tradhti. Ngushëllimin, Taravari e gjeti te proverbi i lashtë “më mirë një fund me dhimbje, sesa një dhimbje pa fund”.
“Ne me një moment kishim mendime ndryshe. Te ne ka një fjalë të urtë që thotë: “më mirë ndarje e mirë sesa bashkëjetesë e keqe”. Ai mendonte se ne si parti duhet t’i bashkëngjitemi Ali Ahmetit, unë mendoja si ish anëtar i PDSH-së dhe themelues i LR-PDSH-së, atij fraksioni që Ziadini e priu se duhet të jemi parti e cila duhet ta ndryshojë Ali Ahmetin”, deklaroi Arben Taravari.
Sa i përket VLEN, të cilin sot Taravari thotë se ka mungesë harmonizimi, para një viti, e vlerësonte këtë koalicion me superlativa ndërsa BDI-në, si forcë korruptive.
“VLEN në qeveri – sepse kjo është garancia më e mirë për partnerët amerikanë dhe evropianë. Një forcë e korruptuar si BDI-ja nuk garanton dot asgjë, sepse ajo gjithmonë e për çfarëdo agjende blihet nga partitë maqedonase, ndërsa VLEN, garanton paprekshmërinë e orientimit perëndimor të shtetit”.
Me retorikë të njëjtë ndaj BDI-së Taravari kishte vazhduar edhe më tej, derisa nuk u hap tema e zgjedhjeve lokale, për të shndërruar BDI-në në opsion të mundshëm bashkëpunimi. Më 30 janar të këtij viti, Taravari u kërkoi deputetëve të BDI-së të riformatojnë mënyrën e perceptimit të gjërave pasi askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me ta dhe se të gjithë janë të distancuar. Derisa tani kritikon VLEN-in për rezultate të dobëta në anketa, asokohe, në bazë të të njëjtave anketa vetëm në 2 muaj distancë, të njëjtën Taravari e thoshte për integristët.
“Në qoftë se lëmë mendësinë e zotëri Ahmetit dhe mendësinë që e keni ju si BDI, prandaj ju them, ju duhet “reset”. Duhet ta ndryshoni mënyrën si i perceptoni gjërat. Nuk shkon bre. A e shihni, janë distancuar të gjithë nga ju. Është distancuar faktori ndërkombëtar, është distancuar VMRO-ja, është distancuar LSDM-ja, i vjen turp të thotë se bashkëpunon me BDI-në, a e keni parasysh bre, a e shihni pak veten? Me cilin jeni duke bashkëpunuar këtu? A keni një faktor me relevancë me të cilën bashkëpunoni? Me asnjë. Me cilin popull bre Arbana? Ja anketa, i shihni anketat ku jeni bre. Po shihni bre, analizoni, keni problem me vetveten, këtë ua them me seriozitetin më të madh”, u shpreh Arben Taravari./Alsat.mk