Targat, vazhdojnë bllokadat në veriun e Kosovës

Për të tretën ditë po mbahen të bllokuara dy rrugët nacionale në veri të Kosovës si shenjë revolte nga serbët lokale për reciprocitetin e vendosur për targat e automjeteve nga Serbia. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se janë të gatshëm të heqin masën e reciprocitetit me Serbinë sa i përket targave, por vetëm nëse Beogradi do të bëjë të njëjtën gjë për targat e veturave nga Kosova. Ai ftoi serbët të heqin barrikadat, ndërsa tha se presidenti serb Vuçiç është i vetmi që dëshiron incidente.

Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë, nuk ka interes për destabilizim as Serbia, duket që vetëm një individ ka interesim për incidente dhe eksese, e ky është presidenti i Serbisë. Oferta jonë publike është praktike, kjo është le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia dhe Kosova dhe këtë mënyrë qytetarët të qarkullojnë sa më shumë dhe sa më pak vonesa – deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila po qëndron në Nju Jork, ka takuar shefin e politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell si dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg të cilët i ka informuar për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, duke përmendur edhe Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes.

Kosova ka përmbushur një aspekt ligjor duke zbatuar marrëveshjen e vitit 2011 dhe 2016 për targat. Përpjekjet për tensionim dhe destabilizim nga struktura ilegale të mbështetura nga Serbia duhet t`i gjykojë vetë BE-ja – njoftojnë nga Presidenca e Kosovës.

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i BE-së, Oliver Varhelyi kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të tërhiqen nga, siç i quajti ai, “veprime të njëanshme”, pasi sipas tij, ato nuk janë asnjëherë zgjidhje.

Kosovë dhe Serbi, është e domosdoshme që të përmbaheni dhe të shtensiononi situatën, t’i ktheheni dialogut dhe të siguroni liri të lëvizjes pa vonesa. Veprimet e njëanshme nuk janë asnjëherë zgjidhje. Ato vetëm shpijnë në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen – shkroi Varhelyi në llogarinë e tij në Twitter.

Çështja e targave është e rregulluar me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ ose ‘RKS’ dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS, kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Shkëlzen Aqifi

LEXO EDHE:

Back to top button