Të paktën dy të vdekur në Zaporizhja

Të paktën dy të vdekur në Zaporizhja

Shtatë raketa ruse goditën ndërtesat e banimit në Zaporizhja mëngjesin e së enjtes, duke vrarë dy persona dhe bllokuar të paktën pesë të tjerë, në qytetin afër centralit më të madh bërthamor në Evropë.

Sulmet erdhën vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se ushtria e vendit kishte rimarrë tre fshatra të tjerë në një nga rajonet e aneksuara ilegalisht nga Rusia.

Kreu i administratës ushtarake në rajonin e Zaporizhjës, Oleksandr Starukh, shkroi në Telegram se shumë njerëz u shpëtuan goditjeve me raketa në ndërtesat shumëkatëshe, përfshirë një vajzë 3-vjeçare, e cila u dërgua në një spital për trajtim.

Zaporizhja është një nga katër rajonet që presidenti rus, Vladimir Putin, aneksoi në kundërshtim me Ligjin ndërkombëtar, dhe është shtëpia e një centrali bërthamor, që është nën pushtimin rus. Qyteti me të njëjtin emër mbetet nën kontrollin e Ukrainës.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Rafael Grossi, është nisur për në Kiev për të diskutuar situatën në objektin e centralit të Zaporizhjës, pasi Putini udhërori marrjen e plotë të centralit. Më pas ai do të vizitojë edhe Moskën.

Ministria e Jashtme e Ukrainës e quajti urdhrin e Putinit “akt kriminal” dhe tha se e konsideronte dekretin e Putinit “të pavlefshëm”.

Ndërsa operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se do të vazhdojë të operojë në central.

Të mërkurën, ministria ukrainase e Mbrojtjes ka thënë më vonë se forcat ruse janë demoralizuar dhe janë duke tentuar t’i shkatërrojnë urat, ashtu që të ndalet hovi i avancimeve ukrainase.

Një zyrtar i instaluar nga Kremlini në Herson, Kirill Stremousov, u ka thënë banorëve se “nuk ka arsye për panik’.

Ushtria ruse nuk e ka komentuar çlirimin e fshatrave nga ushtria ukrainase.

Mirëpo, në një hartë të ilustruar me rajonet që kontrollon Rusia, fshatrat rreth Lumit Dnjepër nuk shihen më aty.

Hersoni ka rënë në duart e forcave ruse pak pas shpërthimit të luftës – në fund të muajit shkurt – pasi ushtria e Rusisë është lëshuar shpejt nga Gadishulli ukrainas i Krimesë, të cilin e ka aneksuar Moska më 2014.

Ukraina ka shënuar sukses edhe në Harkiv dhe Donjeck përgjatë fundjavës, duke fituar kontrollin e qytetit të Limanit.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt./REL

 

LEXO EDHE:

Back to top button