Të punësuarit e ASHAM-it aktivizojnë grevën, kërkojnë rritje pagash

Të punësuarit e ASHAM-it aktivizojnë grevën, kërkojnë rritje pagash

Gazetare: Ajnur Bafqari

Një pjesë e të punësuarve në Akademinë e Shkëncave dhe Arteve e aktivizojnë grevën që e kishin nisur dhe pezulluar vitin e kaluar dhe kërkojnë rritje të pagave. Sindikalistët njoftojnë se në grevë hidhen 36 të punësuar në shërbimin teknik. Do të punojë vetëm arkiva për pranimin e postës dhe një pjesë e të punësuarve në laboratori, ndërsa të punësuarit e tjerë nuk do të kryejnë asnjë detyrë deri në plotësimin e kërkesës së tyre. Sindikalistët thonë se pas paralajmërimeve për aktivizim të grevës, punonjësit kanë marrë kërcënime për largim nga puna.

“Një pjesë e akademikëve, udhëheqësit e njësive organizative në ASHAM, kur u paralajmërua aktivizimi i grevës, menjëherë filluan me kërcënime ndaj të punësuarve, se do të largohen nga puna, ndërsa udhëheqës të caktuar filluan t’u drejtohen punonjësve me sharje dhe fyerje që nuk i ngjan titullit akademik. U dërgoj porosi se secili që do të bëjë presion dhe do të kërcënojë do të publikohet me emër dhe mbiemër, pavarësisht se për kënd bëhet fjalë dhe çfarë funksioni kryen në ASHAM”, tha Dean Tërpenoski, kryetar i SPOGJ.

I pyetur lidhur me deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti, I cili kohë më parë tha se Akademia duhet të hap dyert për shqiptarët, kryetari i sindikatës së ASHAM-it, tha se nuk do të komentojë lidhur me shkencëtarët, por sa u përket punësimeve të tjera, konkurset janë të hapura për të gjithë, por në 15 vitet e fundit nuk paraqitet askush, pikërisht për shkak të pagave të ulëta.

“Nuk do të mund të përgjigjem për shkencëtarët, megjithatë lidhur me deklaratat për të punësuarit, unë mund të them se në 15 vitet e fundit, secili konkurs për secilin vend pune në administratë është lëshuar në gazeta maqedonase dhe shqipe. Ajo që asnjë shqiptar nuk është paraqitur, asnjë maqedonas nuk është paraqitur, as palestinez dhe askush, sepse pagat janë shumë të ulëta….Minimale, llogariteni për 50 përqind më pak nga pagat në institucionet e tjera shkencore”, u shpreh Bllazho Vujoviq, Kryetar i Sindikatës në ASHAM.

Sindikalistët rikujtojnë se sipas marrëveshjes së nënshkruar, ASHAM-i duhej që deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar të nënshkruajë marrëveshje kolektive dhe të bëhen ndryshime ligjore që të zgjidhet problemi me pagat. Ata nuk e precizojnë saktë se sa është përqindja e rritjes që e kërkojnë, por thonë se nevojitet mënyrë e re për kalkulimin e saj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button