Teleferiku në Kodrën e Diellit, jashtë funksionit që nga viti 2001

Teleferiku i Tetovës i cili bartte turistët në Kodrën e Diellit, që nga viti 2001 është jashtë funksionit. Sipas ekspertëve, teleferiku do të zgjidhte edhe problemin me mungesën e vendeve për parkim në Kodrën e Diellit. Megjithatë një pjesë e ekspertëve thonë se investimi në teleferik, pa zgjidhur problemet infrastrukturore në Kodrën e Diellit nuk do të kontribuonte në tërheqjen e turistëve.

“Me një kapacitet prej 400 personave në orë, në njëqind kabina, dikur, ky teleferik dërgonte njerëzit nga Tetova për në Kodrën e Diellit për rreth 47 minuta. Në vitin 2001, si pasojë e granatimeve, është këputur njëra nga sallat tërheqëse dhe që atëherë, ky ski lift është jashtë funksionit”.

Shpresa për kthimin e tij në funksion me anë të riparimit nuk ka. Sipas ish drejtorit të Kodrës së Diellit, kostoja e riparimit do ishte më e lartë se sa ndërtimi i një të riu nga fillimi. Ky teleferik ishte tejet efektiv, sepse nuk krijohej rrëmujë makinash në Kodër të Diellit, ku ka mungesë të madhe parkingjesh, thotë ish drejtori i kësaj pike turistike, Menan Memeti.

Sa ishte efektive po aq ishte atraktive, por pas një kohe u la pas dore dhe tashmë nuk është në përdorim. Nëse do riparoheshte atëherë ndoshta do vihej në funksion, ndërsa tash mund të ketë edhe erozion tek shtyllat e teleferikut dhe mendoj se më mirë është të bëhet një fizibiliti për ndërtimin e teleferikut tjetër se sa të riparohet ai teleferik”-tha Menan Memeti, ish drejtor i Kodrës së Diellit.

Njëri nga katër ekspertët pjesëmarrës në studimin për Kodrën e Diellit, për Alsat është shprehur se, premtimet e Qeverisë se sivjet do të fillojnë punimet për teleferikun e ri i cili kap vlerën prej rreth 40 milion euro nuk mbajnë.

Të njëjtët profesor të fakultetit të makinerisë thonë se gjithë ski liftet janë në fundin e durimit teknik lartë. Pra kjo është iluzion. Të harxhoni 40 milion euro t’i ngjisni turistët lartë dhe lartë të mos iu ofroni asgjë, apo të iu ofroni minimumin! Këto 40 milion është më e mençur të investohen lartë në infrastrukturë që më pas vetë infrastruktura ta blejë teleferikun me gondolë”-pohoi Valentin Taseski, ekspert.

Ndërtimi i teleferikut nga Tetova në kodrën e Diellit, është bërë në mesin e viteve të gjashtëdhjeta, dhe që atëherë, ka qenë në funksion pa ndërprerje deri në mesin e muajit mars të vitit 2001.

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button