Temperaturat ekstreme shkaktuan mijëra viktima në Evropë

Gazetare: Ilirida Sulejmani

Mbi 2000 viktima vetëm gjatë muajit qershor në Francë si pasojë e temperaturave ekstreme, ndërsa vala përvëluese e të nxehtit vazhdon të përfshijë një pjesë të madhe të Evropës. Ministrja e Shëndetësisë së Francës, Stefani Rist, theksoi se shumica e viktimave ishin rreth moshës 45 vjeç.

“Midis këtyre 2025 vdekjeve, ka një rritje prej 91% të vdekjeve në shtëpi, krahasuar me javën e kaluar”, tha Stefani Rist, Ministre e Shëndetësisë e Francës.

Situata është e ngjashme edhe në vende të tjera të Evropës. Në Belgjikë, janë raportuar mbi 1,200 vdekje gjatë valës së të nxehtit, ndërsa në Holandë autoritetet flasin për rreth 480 vdekje, kryesisht të moshuar. Meteorologët paralajmërojnë për një tjetër valë e të nxehtit gjatë fundjavës në Atlantik dhe pritet të përfshijë Spanjën, ku vlerësohet se deri më tani ka 900 vdekje si pasojë e të nxehtit. Ndërkohë Gjermania vazhdon të mbetet nën alarm, pasi fundjava me vapë rekorde, ka shkaktuar probleme në spitale dhe shtëpi të kujdesit, ka dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe ka penguar qarkullimin hekurudhor. Ekspertët paralajmërojnë se episode të tilla të të nxehtit, do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike, të cilat do ta përkeqësojnë situatën, pasi Evropa po ngrohet me ritme dy herë më të shpejta se mesatarja globale./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button