Gazetare: Amila Rashiti
Rikthehen tensionet në protestën në Tiranë e cila sot zhvillohet jashtë Kuvendit, ku në të njëjtën kohë po mbahet seanca plenare
Disa dhjetëra protestues janë përplasur me policinë pranë Xhamisë së Namazgjasë, pasi u është kërkuar të lirojnë rrugën në Unazë, që kishin bllokuar.
Tensionet u shënuan edhe përpara selisë së Partisë Demokratike, ku protestuesit kanë bllokuar rrugën, duke zhvendosur dhe hapur koshat e mbeturinave në rrugë. Ndërkohë, pas këtij incidenti kanë ndërhyrë forcat e Policisë, të cilat kanë vijuar me zhvendosjen e protestuesve dhe zhvendosjen në krah të rrugës të koshave të mbeturinave.
Ndërkohë në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha, e kundërshtoi sjelljen e policëve dhe bëri thirrje që të lirohen protestuesit e arrestuar.
“ Kërkoj lirimin e menjëhershëm të protestuesve të ndaluar dhe ndëshkimin e atyre që përdorën dhunën ndaj tyre, ju kërkoni të mbijetoni me dhunë policore por ju jeni bërë figurat më të urryera në historinë e kombit shqipëtar. “ – Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike.
Protesta ishte paralajmëruar prej ditësh, për këtë arsye forcat e shtuara ishin të pozicionuar në terren, në ambiente të ndryshme dhe duke vendosur gardh metalik te godina e Kuvendit./Alsat.mk








