Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, bllokada dhe përplasje mes deputetëve
Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, bllokada dhe përplasje mes deputetëve

Gazetare: Xhesika Sallahi
Anulohet sërish mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të tensioneve. Ndërsa opozita paralajmëroi se do të bllokojë mbledhjen, fillimisht deputetët u penguan nga Garda e Republikës, por që më pas kanë ta çajnë bllokadën dhe të mos lejojnë mazhorancën të vazhdojë mbledhjen e Komisionit. Ndërkohë, Flamur Noka dhe Damian Gjiknuri u përplasën me njëri-tjetrin.
Nga ana tjetër, kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi përmes një deklarate për mediat, tha se opozita do të votojë kur parlamenti t’i kthehet normalitetit.
“Kuvendi po degradon dita-ditës, në një institucion pa rregulla, në një institucion personal të Edi Ramës, duke hedhur në erë, parimin kushtetues të kontrollit dhe balancës mes pushteteve. Opozita ka dashur dhe dëshiron një kuvend tërësisht funksional. Ky ka qenë dhe mbetet objektivi ynë. Kjo është arsyeja që për më shumë se 3 muaj, protestojmë në kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Opozitar.
Mazhoranca vendosi për zhvillimin e mbledhjes online, njëjtë si më parë.
“Përsëri, një pjesë e opozitës, ajo që quhet Rithemelimi, bllokuan hyrjen, e bënë të pamundur zhvillimin e zgjedhjes dhe me këto kushte po pengojnë ecurinë e reformës zgjedhore. Pra, pamundësia fizike na bënë të njoftojmë një mbledhje tjetër”, tha Damian Gjiknuri, deputet i mazhorances.
Mbledhjet dhe seancat në Kuvendin e Shqipërisë prej kohësh funksionojnë në kaos. Opozita thotë se po pengohet të kryejë funksionet e saj, në një shoqëri demokratike. /Alsat.mk