Tensione politike në Shqipëri, Shehaj pezullohet nga Kuvendi
Gazetare: Amila Rashiti
Deputeti i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, është pezulluar për 60 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, pas vendimit të marrë nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën në Kuvend. Vendimi ka ardhur pas incidentit që është regjistruar në ambientet e Kuvendit, ku Agron Shehaj mori me forcë kopjen sekrete të marrëveshjes ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u largua me vrap nga salla Gerti Bogdani duke shkelur protokollet e ruajtjes së dokumenteve të klasifikuara dhe duke refuzuar udhëzimet e stafit.
Incidenti ndodhi në një periudhë tensionesh të larta politike dhe protestash të vazhdueshme para Kuvendit në Tiranë, ku opozita dhe forcat e tjera politike kanë akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe vendimmarrje të njëanshme.
Shehaj është pozicionuar publikisht në mbështetje të protestuesve dhe ka marrë pjesë në mobilizimin e tyre, duke e akuzuar qeverinë për mungesë transparence dhe abuzim me pushtetin.
Ndërkohë revolta e qytetarëve rrugëve të kryeqytetit nuk është ndaluar. Protesta antiqeveritare sot hynë në ditën e sajë të 59-të, dhe qytetarët priten të mblidhen në Tiranë si zakonisht.
Një ditë më parë në orët e pasdites protesta u zhvendos përpara godinës së Kryeministrisë, ku qytetarët mbajtën fjalime dhe shprehën kundërshtimin ndaj qeverisë.
“Protesta u zhvendos këtu sepse kemi parë ditëve të tjera që këtu ka qenë dalja kryesore e të gjithë deputetëve. Edhe duke qenë se për gati dy muaj ne kemi protestuar dhe kemi thënë që nuk na përfaqësojnë ata vazhdojnë me kokfortësi, që tq vijnë në parlament dhe të zhvillojnë seanca sikur populli nuk është në rrugë“, tha qytetarja.
Protesta që nisi si revoltë ndaj projektit për ndërtimin e resorit luksoz në Zvërnec është shndërruar në një kërkim llogarie dhe dorëheqje nga qeveria e kryeministrit Rama dhe në një protestë kundër korrupsionit, mënyrës së qeverisjes dhe mungesës së transparencës./Alsat.mk.








