Tentativa e katërt për gjinekologjinë në Shutkë, sektori civil kërkon zgjidhje të përhershme

Tentativa e katërt për gjinekologjinë në Shutkë, sektori civil kërkon zgjidhje të përhershme

Gazetare: Melihae Rustemi

Gjinekologu Llambe Kërstevski është mjeku i katërt që hap ordinancë në Komunën e Shuto Orizrës. Ndryshe nga kolegët e tij që ordinancat i mbyllën për pak muaj, Kërstevski tha se ordinanca gjinekologjike e tij do të funksionojë derisa ai të ekzistojë.

“Për momentin kemi më shumë se 300 pacientë me shpresë që numri të rritet. Apeloj të gjitha gratë në komunën Shuto Orizarë se tashmë mund të regjistrohen për mbrojtje shëndetësore primare dhe të më zgjedhin si gjinekolog amë. Do të mbijetoj, derisa unë të ekzistoj do të ekzistoj edhe kjo ambulancë”, tha Llambe Kërstevski mjek gjinekolog.

Organizatat joqeveritare kërkojnë zgjidhje të përhershme dhe ndryshime ligjore në mbrojtjen shëndetësore, posaçërisht atë primare.

“Jemi të informuar se rreth 10 mijë femra kanë nevojë për qasje në këto shërbime. Si Lëvizja “AVAJA” ndihmuam në ekipimin e ambulancës. Kemi angazhuar një infermiere për një periudhë gjashtë mujore me shpresë se njëjta do të vazhdoj edhe më tutje me punë”, u shpreh Elvis Shakir, Lëvizja “AVAJA”.

“Thuajse çdo ministër i Shëndetësisë ka qenë në hapjen dhe mbylljen e ordinancës gjinekologjike. Kam një porosi për ministrin e Shëndetësisë të gjejë zgjidhje të përhershme për gjinekolog në Shuto Orizarë. Që prej tani të nis të punoj në krijimin e ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen shëndetësore, posaçërisht në shëndetësinë primare. Deri më tani u ndërruan tre gjinekologë, mjekë amë. Gjithashtu, Shuto Orizarja ka problem edhe me mjek amë të përgjithshëm”, theksoi Salija Bekir Halim “Iniciativa për të drejtat e grave në Shuto Orizarë”.

Mungesa e gjinekologut në Shuto Orizarë ka detyruar gratë e kësaj komune që shërbimet gjinekologjike t’i kryejnë në komuna tjera duke bërë rrugë mbi 10 kilometra./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button