Tërmet i fuqishëm prej 7,7 shkallësh në Mianmar, një ndërtesë e madhe shembet në Bangkok

Tërmet i fuqishëm prej 7,7 shkallësh në Mianmar, një ndërtesë e madhe shembet në Bangkok

Një tërmet i fuqishëm e goditi të premten pjesën qendrore të Mianmarit, ndërsa njerëzit dolën në panik nga ndërtesat në Yangon dhe në Bangkok, kryeqytet i Tajlandës fqinje, thanë dëshmitarët.

Vëzhguesi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) tha se tërmeti pati fuqi prej 7,7 shkallësh të Rihterit dhe ndodhi në thellësi prej 10 kilometrash nën sipërfaqe. Pas tij ndodhi edhe një dridhje e fortë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 17 kilometra nga qyteti Mandalay, në të cilin banojnë rreth 1,2 milion njerëz, sipas USGS-së.

Nuk pati njoftime të menjëhershme nga autoritetet në Mianmar për dëme.

Një oficer i Shërbimit kundër Zjarrit në Mianmar agjencisë “Reuters” i tha: “Ne i kemi filluar kërkimet dhe shkuarjne përreth qytetit Yangon për të kontrolluar për viktima dhe dëme. Deri më tani, nuk kemi ende informata.”

Në postime në rrjete sociale shfaqeshin ndërtesa të shembura e mbetje të shpërndara në rrugë. Agjencia “Reuters” nuk mundi t’i vërtetonte menjëherë postimet.

 

Dëshmitarët në Bangkok thanë se njerëzit dolën rrugëve në panik, shumë prej tyre mysafirë hotelesh në kostume noti e rroba banjoje.

LEXO EDHE:

Back to top button