Tetë vjet më parë yjet shmangnin inaugurimin e Trumpit, këtë herë është ndryshe
Tetë vjet më parë yjet shmangnin inaugurimin e Trumpit, këtë herë është ndryshe

Këngëtarja Carrie Underwood mund të mos jetë e nivelit të Beyoncés ose Garth Brooks, por pjesëmarrja e saj në inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump është një shenjë e ndryshimeve që po ndodhin, ku performuesit kryesorë, nga reperi Nelly e deri te grupi “Village People”, po lidhin më hapur dhe më me entuziazëm emrat e tyre me administratën e re, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press.
AP shkruan se tetë vjet më parë, Trump ka pasur vështirësi të angazhojë yje për ceremoninë e betimit dhe për ngjarjet e ndryshme pas saj. Në protestat dhe marshet që zhvilloheshin paralelisht në të gjithë vendin kishin më shumë artistë të famshëm se sa ceremonia e betimit, që ishte një kontrast i madh me inaugurimin e ish-presidentit Barack Obama, në të cilin performuan Beyoncé, James Taylor dhe Kelly Clarkson, si dhe shumë të famshëm të tjerë morë pjesë si shikues.
Megjithatë, ka pasur gjithmonë disa mbështetës të Trumpit nga radhët e yjeve, si Kid Rock, Hulk Hogan, Jon Voight, Rosanne Barr, Mike Tyson, Sylvester Stallone dhe Dennis Rodman. Por fitorja e Trumpit këtë herë ishte vendimtare dhe lista e emrave që po marrin pjesë në ngjarjet e inaugurimit të tij është zgjeruar.
Kid Rock, Billy Ray Cyrus, “Village People” dhe Lee Greenwood performuan në një tubim ditën e diel.
Ndër artistët që do të performojnë në ballot e inaugurimit janë raperi Nelly, grupi i muzikës country “Rascal Flatts”, këngëtari country Jason Aldean dhe këngëtari Gavin DeGraw.
“Njerëzit që po dalin dhe po marrin pjesë janë ende një nëngrup i vogël i gjithsecilit që quhet ‘i famshëm’, por po shohim shumë më tepër yje që po mbështesin Trumpin. Ndoshta nuk ka atë ndarje të qartë që shihnim më parë”, ka thënë profesori i kulturës nga Universiteti i Sirakuzës, Robert Thompson.
Edhe disa që e kanë kritikuar Trump-in publikisht në të kaluarën duket se kanë ndryshuar drejtim.
Një nga shembujt më të njohur është raperi Snoop Dogg, i cili në një video muzikore të vitit 2017 bëri sikur qëllonte një person që i ngjante Trumpit, dhe këtë fundjavë performoi në ceremoninë parainaugurese “The Crypto Ball”.
Kur një përdorues i mediave sociale postoi një video të performancës së tij, emri i tij shpejt u bë një temë trendi në rrjetet sociale, duke shkaktuar habi dhe zemërim.
Thompson ka përmendur deklaratën nga “Village People”, ku ata dhanë një justifikim për pjesëmarrjen e tyre, duke e krahasuar me një lloj kërkimi faljeje.
“Idetë për të qenë pjesë e një rituali të madh qytetar kombëtar mund të tejkalojnë identitetin politik”, ka thënë Thompson.
Sipas tij, pjesëmarrja e njerëzve si Underwood nuk do të ndryshojë mendimin e askujt për Trumpin. Megjithatë, ai ka thënë se kjo mund të ndryshojë mendimin për artistët.
Në rrjetet sociale, disa thanë se do t’i fshijnë këngët e Underwood nga listat e tyre.
Kur Trumpi dikur theksoi “ndarjen” nga Hollywood-i, pasi shpesh e shmangte atë, tani ai ka kthyer vëmendjen në kryeqytetin e argëtimit “si një projekt për t’u shpëtuar”.
Ai ka emëruar Jon Voightin, Mel Gibsonin dhe Sylvester Stallonen si “ambasadorët” e tij për këtë mision.
Thhompson ka thënë se kjo duket sikur një titull magazinash apo diçka nga spektakli “Saturday Night Live”.
Pas zgjedhjes, kritikët e yjeve janë bërë më të heshtur krahasuar me vitin 2017, kur marshimet në mbarë vendin sollën emra si Cher, Madonna, Katy Perry, Alicia Keys dhe Janelle Monae.
Marshimi i popullit në Washington të shtunën nuk kishte ndonjë pjesëmarrës të njohur. Po ashtu, në spektaklin e ndarjes së çmimeve “Golden Globe” në muajin janar, emri i Trumpit nuk u përmend fare, gjë që ishte kontrast i theksuar me vitin 2017, kur Meryl Streep përdori fjalimin e saj për çmimin e karrierës për të kritikuar presidentin e ardhshëm.
“Ata kaluan këto procese dhe doli se asgjë nuk ka bërë asnjë ndryshim. Të gjithë këta yje që folën kundër Trumpit dhe të gjithë ata që mbështetën Bidenin dhe folën për të ardhmen e demokracisë jo vetëm që nuk bënë asnjë ndryshim në rezultatin e zgjedhjeve, por mund të argumentohet se kjo bëri që gjithçka të shkojë në drejtim të kundërt”, ka thënë Thompson.