Thaçi: Si i tillë, dialogu është në favor të Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, do të jetë i pakuptimtë nëse nuk e trajton çështjen e njohjes reciproke.

“Kam theksuar edhe më herët, ky dialog ka kuptim nëse propozimi për njohje reciproke hidhet në tavolinë. Përndryshe, është krejt i pakuptimtë, krejt i panevojshëm dhe është i dështuar. Është në favor të Serbisë si i tillë që po zhvillohet”, tha Thaçi.

Komente të ngjashme ka bërë të shtunën edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se dialogu po e humb kuptimin.

Mustafa ka thënë se procesi i dialogut po “shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë, për t’i vënë në harresë krimet e saj”.

Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Avdullah Hoti, insiston se Kosova bisedon me Serbinë për një marrëveshje finale, e cila do të përfshinte njohjen.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.

Së voni, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur angazhimin e tyre në këtë proces, për t’i ndihmuar palët në normalizimin e marrëdhënieve.

Në kuadër të këtyre angazhimeve, Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë.

LEXO EDHE:

Back to top button