Tragjedi në Bangkok: 27 të vdekur nga zjarri në një lokal nate

Së paku 27 persona humbën jetën ndërsa dhjetëra të tjera u plagosën nga një zjarr që përfshiu një lokal nate në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok. Zjarri shpërtheu të dielën vonë në lokalin “Na Ladprao”, në distriktin verior të Bangkokut. Dëshmitarët thanë se zjarri ndërpreu energjinë elektrike dhe mbushi sallën me tym të dendur, duke shkaktuar panik mes klientëve. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që përpiqeshin të largoheshin mes flakëve, ndërsa disa prej tyre kishin marrë flakë edhe në rroba. Zjarrfikësit arritën t’i vinin nën kontroll flakët pas rreth 45 minutash. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende.

Kryeministri i Tajlandës Anutin Charnvirakul tha se se një muzikant që po performonte në bar i kishte thënë se kishte parë tym të dilte nga një automat qarku pranë skenës përpara se të iknin dritat, e më pas u dëgjua një shpërthim dhe tymi i dendur mbushi me shpejtësi ambientin. Shumë nga viktimat u gjetën në tualetet në pjesën e pasme të barit, shtoi ai.

Familjarët e viktimave, të tronditur nga ngjarja e rëndë.

“Për momentin, dua ta kthej trupin e vëllait tim të vogël në shtëpi. Dua ta kthej atë në shtëpi te prindërit e mi. Prindërit e mi po presin që fëmijët e tyre të kthehen bashkë, por tani njëri ka ikur,” tha Keo Oudone Poungpany, Vëllai i viktimës.

“Dhëndri im ishte një person shumë i mirë, punonte shumë për të fituar para. Vajza ime sapo u diplomua. Ajo filloi së fundmi të punonte si mësuese informatike. Dhe tani ata kanë vdekur,” tha një Familjare e viktimave.

Guvernatori i Bangkokut tha se 63 persona u dërguan në spital, 22 prej të cilëve në gjendje kritike. Ai tha se autoritetet po punojnë për identifikimin e viktimave, pasi shumë prej tyre nuk mbanin dokumente identiteti ose ishin pa ndjenja. Ai tha se hetuesit po shqyrtojnë nëse daljet emergjente kanë qenë të bllokuara dhe nëse lokali i kishte përmbushur standardet e sigurisë kundër zjarrit. Sipas tij, zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të materialeve të përdorura në tavan dhe dekor. Besohet se edhe tymi toksik ndikoi në numrin e lartë të viktimave.

LEXO EDHE:

Back to top button