Përshkallëzohet konflikti: Sulme të reja amerikane ndaj Iranit, raketa iraniane drejt Gjirit
Shtetet e Bashkuara kryen sulme të reja ndaj Iranit. Ato pasuan sulmet ajrore të një dite më parë pranë Ngushticës së Hormuzit, të cilat Uashingtoni tha se ishin përgjigje ndaj sulmeve iraniane mbi anijet në këtë rrugë strategjike ujore. Komanda Qendrore e SHBA-së, tha se ka goditur dhjetëra caqe, me municion, në lokacione të ndryshme. Sipas saj, presidenti Donald Trump, i ka urdhëruar këto sulme, për t’i mbajtur forcat iraniane përgjegjëse.
Mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në disa zona pranë Ngushticës së Hormuzit, përfshirë Bandar Abasin, Sirikun dhe provincën Bushehr.
Aleatët arabë të Shteteve të Bashkuara në Gjirin Persik njoftuan, ndërkohë, se Irani ka lëshuar raketa drejt tyre, si “kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane”. Irani lëshoi raketa drejt Kuvajtit, i cili është aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara. Irani goditi gjithashtu Katarin, i cili ndërmjetëson bisedimet për armëpushim, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që u vunë në shënjestër për herë të parë në dy muaj.
Kjo është vala e tretë e sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane brenda një jave. Ato nisën pasi Irani sulmoi anije tregtare dhe shpalli të mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rrugën detare më strategjike në botë.
Por, pavarësisht deklaratave të Iranit, trafiku detar në Ngushticën strategjike të Hormuzit po vazhdonte normalisht. “Ajo është e hapur”, tha Trump.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë, rrit ndjeshëm rrezikun e destabilizimit të mëtejshëm rajonal dhe, nëse bllokada vazhdon, mund të ketë pasoja të mëdha për tregjet ndërkombëtare të energjisë.








