Tragjedia në Koçan/ BDI kërkon ekspertë nga KE – VLEN: BDI-ja kërkon ta fshehë të vërtetën

Tragjedia në Koçan/ BDI kërkon ekspertë nga KE – VLEN: BDI-ja kërkon ta fshehë të vërtetën

Gazetare: Fatlume Dervishi

Një ditë pasi kërkoi komision hetimor me mbikëqyrje ndërkombëtare për hetimin rreth tragjedisë së Koçanit, BDI-ja tani kërkon përfshirjen e ekspertëve ligjorë të Komisionit Evropian. Ata thotë se kryeministri e ka kapur sistemin gjyqësor kurse për çudi ministri i Brendshëm nuk përfshihet në grupin e fajtorëve.

“I bëjmë thirrje Komisionit Evropian të dërgojë menjëherë ekspertë ligjorë dhe të përfshihet drejtpërdrejt me një monitorim të përforcuar të këtij rasti; më pas, me ekspertizën dhe gjetjet e saj, do të ndihmojë komisionin parlamentar, i cili duhet të krijohet menjëherë nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Demokracia, sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut janë rregullat dhe parimet bazë të Bashkimit Evropian, dhe ato duhet të mbrohen edhe në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga BDI.

VLEN thotë se BDI-ja kërkon komisione për ta fshehur të vërtetën dhe jo për ta zbuluar atë. Partia në pushtet thotë se nëse formohet komision, ai do të hetonte të gjitha tragjeditë e viteve të fundit.

“BDI, pas 22 vitesh pushtet dhe shkatërrimi të sistemit të drejtësisë, sot përpiqet të luajë rolin e viktimës, duke kërkuar hetim vetëm për tragjedinë në Koçan. Por qytetarët nuk harrojnë: Kush e krijoi këtë sistem të kalbur? Kush i mbronte kriminelët? Kush i shndërroi gjykatat dhe prokurorinë në zyra private të partisë? VLEN nuk do të lejojë që e vërteta të manipulohet! Kërkojmë komision hetimor për të gjitha tragjeditë e viteve të fundit – nga Llaskarca, spitali modular, Besa Trans, e deri te Koçani. Nuk do të lejojmë që BDI të vendosë se cilat viktima meritojnë drejtësi dhe cilat duhet të harrohen!”, thonë nga VLEN.

Sipas rregullores së Kuvendit, komisioni anketues formohet nga Kuvendi me propozim të deputetëve kurse kryetari i tij propozohet nga opozita. Komisionet e tilla, mund të japin rekomandime, por edhe të ndihmojnë hetimet apo proceset, kurse rekomandimet që dalin nga komisionet nuk janë të detyrueshme për organet hetimore. Nga BDI, morën iniciativë të formojnë komision anketues për rastin e vdekjes së Almirit 4-vjeçar nga Kumanova, megjithatë Boban Iliqi u dënua me vetëm 4 vjet burg. Nga BDI-ja u paralajmërua komision hetues edhe për Lagjen e Trimave, megjithatë ai fare nuk u formua.

Në kohën e pushtetit 22-vjeçar të BDI-së, u formuan komisione anketuese edhe për rastet “Sopoti” dhe “Monstra” të cilat duhej të zbardhnin skenarin eventual të montimit, por në Kuvend, kjo kurrë nuk ndodhi. Së fundmi, u formua komision për rastin e “Onkologjisë” apo skandalin me vjedhjen e ilaçeve për të sëmurët e kancerit, pa asnjë rezultat për hetimin./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button